Presidenti Pezeshkian: Irani mund t’i tejkalojë “ngjarjet e dhimbshme” me Katarin dhe të rifillojë bashkëpunimin

Presidenti Iranian, Masoud Pezeshkian, ka deklaruar se Irani dhe Katari mund t’i tejkalojnë “ngjarjet e dhimbshme” të fundit dhe të rifillojnë bashkëpunimin dypalësh, transmeton Anadolu.

Sipas agjencisë iraniane të lajmeve Tasnim, deklaratat e tij erdhën gjatë një takimi me kryeministrin e Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani.

“Të gjitha të drejtat ligjore të popullit iranian duhet të njihen”, tha Pezeshkian.

“Republika Islamike e Iranit nuk kërkon asgjë përtej të drejtave të saj ligjore dhe nuk do t’i nënshtrohet presionit apo kërcënimeve”, shtoi ai.

Pezeshkian tha se Irani dhe Katari kishin planifikuar të ndërmerrnin iniciativa të shumta të përbashkëta, por lufta vonoi zbatimin e marrëveshjeve dhe zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Ai akuzoi Izraelin se po përpiqet të pengojë krijimin e marrëdhënieve të ngushta mes vendeve muslimane.

Vizita në Teheran e Sheikh Mohammedit, i cili është gjithashtu ministër i Jashtëm i Katarit, vjen teksa Doha vazhdon përpjekjet për uljen e tensioneve mes Iranit dhe SHBA-së.

Kjo është vizita e tij e parë në Iran që nga fillimi i konfliktit me sulmet amerikane dhe izraelite në fund të shkurtit.

Në muajin qershor, SHBA-ja dhe Irani nënshkruan një memorandum mirëkuptimi pas ndërmjetësimit të Pakistanit dhe Katarit, por zbatimi i tij ka ngecur për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me lundrimin në Ngushticën e Hormuzit, përmes së cilës para luftës kalonte rreth një e pesta e furnizimeve globale me naftë.

Irani kishte vënë në shënjestër në qershor të vitit 2025 bazën ajrore Al Udeid në Katar, ku janë të stacionuara forca ushtarake amerikane, gjatë luftës 12-ditore me Izraelin, si dhe kreu sulme hakmarrëse ndaj disa vendeve të Gjirit, përfshirë Katarin, pas sulmeve amerikano-izraelite këtë vit.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button