Ndotje e shtuar e ajrit në Shkup për shkak të tymit nga zjarret

Një pjesë e madhe e Shkupit, kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut, sot u përfshi nga era e tymit në ajër, ndërsa në të njëjtën kohë të dhënat nga disa stacione matëse tregojnë nivel të rritur të ndotjes, raporton Anadolu.
Tymi që është vërejtur këtë pasdite në Shkup vjen nga era që sjell tymin nga zjarri që po përhapet në Kitkë në komunat Studeniçan dhe Zelenikovë, ku sot ka vepruar një helikopter i Ministrisë së Punëve të Brendshme, njoftojnë nga Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK).
“Deri në këtë moment nuk ka pasur raportim për zjarr të mundshëm në Vodno, përveç dy zjarreve me bar të thatë dhe pyll të ulët të degraduar në Komunën e Ilindenit”, thonë nga QMK-ja.
Sipas të dhënave të platformës IQAir, një kompani zvicerane që monitoron cilësinë e ajrit në mbarë botën, në disa stacione matëse është regjistruar deri në 178 US AQI, që klasifikohet si cilësi “e pashëndetshme” e ajrit.
Stacioni matës ka regjistruar një përqendrim prej 94 mikrogramësh të grimcave PM2.5 për metër kub ajër, të cilat cilësohen si ndotësi kryesor.
Gjithashtu, QMK-ja informoi se deri në orën 13:00 janë regjistruar gjithsej 14 zjarre në hapësirë të hapur, prej të cilave 5 janë aktive, 1 është nën kontroll, ndërsa 8 janë shuar.



