Kurti: Mbetjet mortore të 23 personave në Zubin Potok përkojnë me “Grupin e Intelektualëve”

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka prezantuar raportin përmbledhës për gërmimet e zhvilluara në tri lokacione në komunën e Zubin Potokut, ku janë gjetur mbetje mortore që dyshohet se u përkasin së paku 23 personave të dyshuar se janë viktima të luftës së fundit në Kosovë, raporton Anadolu.
Në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës ku u prezantua ky raport mori pjesë edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili tha se në varrin masiv në Kalludër, janë gjetur dhe zhvarrosur mbetjet mortore të 13 personave, ndërkaq, në Jabukë, janë gjetur mbetje mortore që dyshohet se u përkasin së paku katër personave, dhe në Kalludër, u gjetën dhe zhvarrosur mbetjet mortore të së paku gjashtë personave.
Sipas Kurtit, tashmë ka nisur faza e identifikimit, pasi mostrat e mbetjeve mortore që dyshohet se u përkasin katër personave të gjetur në Jabukë janë dërguar për analizë të ADN-së, ndërsa për pjesën tjetër po vazhdojnë ekzaminimet paraprake në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML).
Sipas kryeministrit në detyrë Kurti numri 23 përkon me atë që njihet si “Grupi i Intelektualëve”.
“Numri 23 përkon me atë që njihet si Grupi i Intelektualëve, të cilët më 19 prill të vitit 1999 u ndaluan, u rrëmbyen dhe u pushkatuan nga forcat armike të Serbisë, që u përpoqën të fshehin dhe të zhdukin gjurmët e këtij krimi gjenocidal. Por, procesi i identifikimit në tërësi mund të marrë edhe disa muaj kohë, andaj vetëm atëherë do të mund të flasim me saktësi të plotë se për kë bëhet fjalë dhe bashkë me familjet t’u japim një lamtumirë dinjitoze dhe nga një varr me emër e mbiemër”, tha Kurti.
Tutje, Kurti tha se autoritetet po ekzaminojnë edhe armët e gjetura në këto lokacione nga Policia e Kosovës për lidhjen e mundshme të tyre me krimin dhe masakrat në këto tre lokacione.
Kurti tha se është e papërshkrueshme dhe e dhimbshme pritja kaq e gjatë dhe ankthi i përjetuar nga familjarët e të zhdukurve me dhunë, të cilët kërkojnë zbardhjen e fatit të më të dashurve të tyre, por kërkojnë edhe drejtësi.
Në këtë proces, sipas Kurtit, janë përfshirë institucionet e Kosovës, përfshirë Policinë e Kosovës, Institutin e Mjekësisë Ligjore, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, si dhe ekipet mjekoligjore të EULEX-it.
Kurti ka kërkuar nga faktori ndërkombëtar që të shtojë trysninë ndaj Serbisë për zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur me Dhunë, të dakorduar në Bruksel më 2 maj 2023, si dhe për hapjen e arkivave shtetërore që mund të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.
“Grupi i Intelektualëve të Mitrovicës” që përbëhej prej 23 personash, ishte zhdukur që nga prilli i vitit 1999, ndërsa në mesin e tyre kishte mjekë, profesorë, avokatë dhe profesionistë të tjerë.
