Më shumë se 300 fëmijë të vdekur nga Ebola në RD të Kongos

Më shumë se 300 fëmijë kanë humbur jetën nga epidemia aktuale e Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos, njoftoi të enjten UNICEF-i, duke paralajmëruar se epidemia po rrezikon edhe shërbimet thelbësore shëndetësore në provincën lindore Ituri, e cila është më e goditura, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë, UNICEF-i tha se deri më 2 gusht, Kongo kishte regjistruar 743 raste të konfirmuara te fëmijët e moshës 17 vjeç e poshtë, përfshirë 330 viktima.
Sipas organizatës, ndërmjet prillit dhe qershorit, përdorimi i shërbimeve thelbësore shëndetësore kishte rënë me 42 për qind në zonat kryesore të prekura nga epidemia, Bunia, Mongbwalu, Nizi dhe Rwampara, ndërsa në gjithë provincën Ituri përdorimi i këtyre shërbimeve ishte ulur me rreth 13 për qind.
Edhe pse fëmijët përbëjnë pothuajse një në katër raste të konfirmuara, ata përfaqësojnë gati një në tre viktima.
Organizata theksoi se fëmijët nën moshën pesëvjeçare janë veçanërisht të prekur, me një shkallë vdekshmërie më shumë se dy herë më të lartë se ajo e të rriturve.
“Të dhënat sugjerojnë se frika nga infektimi, e kombinuar me ndërprerjet e shërbimeve, po i pengon shumë fëmijë dhe familjet e tyre të kërkojnë kujdes shëndetësor”, ka thënë John Agbor, përfaqësues i UNICEF-it në Kongo.
“Një mjek i tha ekipit tonë se para epidemisë aktuale, institucioni i tij trajtonte mesatarisht 500 pacientë në muaj, por tani ky numër ka rënë pothuajse në zero”, ka shtuar ai.
Agbor ka deklaruar se epidemia e Ebolës ka çrregulluar rëndë gjithë sistemin shëndetësor, me pasoja të pashmangshme për rastet e malaries, diarresë dhe sëmundjeve të tjera të trajtueshme, të cilat janë ndër shkaqet kryesore të vdekjeve te fëmijët.
Sipas raportit më të fundit të situatës të publikuar të enjten nga Ministria e Shëndetësisë, Kongo ka raportuar 3.973 raste, përfshirë 1.801 viktima, që nga shpallja e epidemisë në mesin e muajit maj.
Organizata Mjekët pa Kufij (MSF) tha më herët këtë javë se, dy muaj e gjysmë pas shpalljes së epidemisë së Ebolës, situata në lindje të Kongos është më kritike se kurrë.
Sipas saj, epidemia po përhapet me një ritëm alarmues dhe të paprecedentë, pavarësisht përpjekjeve të palodhura të ekipeve mjekësore në vijën e parë.


