Sulmet e Huthive ndaj forcave qeveritare në Jemen lënë të paktën 30 të vrarë

Rebelët Huthi të Jemenit kanë vrarë të paktën 30 ushtarë të forcave qeveritare dhe kanë plagosur 15 të tjerë në sulme me raketa ndaj kampeve ushtarake në provincat Hadramaut dhe Marib, thanë burime qeveritare për Al Jazeera.

Sulmet e së enjtes ndaj kampeve ushtarake, përfshirë disa që administrohen nga Forcat e Emergjencës së Jemenit, konsiderohen më vdekjeprurëset në vitet e fundit të luftës civile në vend dhe vazhdojnë valën e përshkallëzimit të dhunës të vërejtur javët e fundit.

Zëdhënësi ushtarak i Huthëve, Yahya Saree, deklaroi se sulmet, të kryera me raketa dhe dronë, shkaktuan “qindra” viktima.

Ushtria jemene e konfirmoi sulmin, duke e paraqitur atë si një kundërpërgjigje ndaj operacioneve të saj kundër Huthëve.

Sipas burimeve ushtarake jemene, Huthët lëshuan tetë raketa nga provinca Al-Jawf, në veri të Maribit, duke goditur zonat Al-Thiniya dhe Al-Abr në Hadramaut, si dhe Al-Rouk në Marib.

Burimet shtuan se numri i viktimave pritet të rritet.

Luftimet ndërmjet Huthëve të mbështetur nga Irani dhe forcave qeveritare të mbështetura nga Arabia Saudite janë intensifikuar javët e fundit, pas katër vitesh qetësie relative.

Huthët kanë shpallur gjithashtu një bllokadë detare ndaj Arabisë Saudite dhe kanë sulmuar anije të lidhura me shtetin fqinj.

Lufta e fundit në Jemen nisi në vitin 2014, kur Huthët morën nën kontroll kryeqytetin Sana. Një vit më pas ndërhyri ushtarakisht koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite, por nuk arriti ta mposhtë plotësisht lëvizjen Huthi.

Sulme në rritje

Yahya Saree tha se sulmet e së enjtes erdhën pas “grumbullimeve ushtarake” të forcave qeveritare të mbështetura nga Arabia Saudite, të cilat, sipas tij, synonin përshkallëzimin e konfliktit.

Si Huthët, ashtu edhe qeveria kanë mobilizuar forcat e tyre javët e fundit, ndërsa përplasjet janë përqendruar në pjesën perëndimore dhe qendrore të Jemenit.

Tensionet u rritën një muaj më parë, kur Huthët deklaruan se një avion iranian ishte penguar të ulej në aeroportin e Sanas. Më 13 korrik, qeveria jemene tha se kishte goditur aeroportin e Sanas për të parandaluar uljen e një tjetër avioni iranian. Në përgjigje, Huthët sulmuan aeroportin Abha në Arabinë Saudite, ndërsa Riadi njoftoi se sulmi ishte neutralizuar.

Më 20 korrik, Huthët shpallën bllokadën detare ndaj Arabisë Saudite dhe në ditët në vijim nisën sulmet ndaj anijeve të lidhura me këtë vend në Detin e Kuq.

Këto sulme në një nga rrugët detare më të ngarkuara në botë ndodhën në një kohë kur lufta mes SHBA-së dhe Iranit ka bllokuar praktikisht Ngushticën e Hormuzit, duke shkaktuar ndërprerje të mëtejshme në eksportet e naftës dhe energjisë nga rajoni.

Si kundërpërgjigje, koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite ka rifilluar sulmet ajrore ndaj objektivave të Huthëve në perëndim të Jemenit, për herë të parë që nga viti 2022.

Huthët e kanë justifikuar bllokadën detare si reagim ndaj asaj që e quajnë “rrethimi saudit” i zonave të Jemenit që kontrollohen prej tyre. /Al Jazeera/

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Lexo gjithashtu
Close
Back to top button