Dy pacientë me ethet e Nilit Perëndimor në gjendje të rëndë – edhe tre të tjerë nën dyshim

Dy nga shtatë pacientët me ethet e konfirmuara të Nilit Perëndimor, të cilët po trajtohen në Klinikën Infektive në Shkup, janë në gjendje kritike shëndetësore dhe janë të lidhur me ventilim mekanik.
Drejtori i Klinikës, dr. Fadil Cana, bëri të ditur se bëhet fjalë për pacientë të moshës 66 dhe 76 vjeç, të cilët janë të shtruar në repartin e kujdesit intensiv. Më i riu prej tyre ishte hospitalizuar më 26 korrik, por pas përkeqësimit të menjëhershëm të gjendjes, i është vendosur intubimi. Ai nuk kishte udhëtuar jashtë vendit dhe kishte disa sëmundje kronike.
Ndërkohë, në Klinikë janë pranuar edhe tre pacientë të tjerë me simptoma të inflamacionit akut të trurit dhe cipave të trurit. Për ta priten rezultatet e analizave laboratorike nga Instituti i Shëndetit Publik, të cilat duhet të tregojnë nëse edhe ata janë infektuar me virusin e Nilit Perëndimor.
Sipas drejtorit Cana, aktualisht janë shtatë raste të konfirmuara laboratorikisht, ndërsa te tre pacientë të tjerë ekziston dyshim serioz për të njëjtin infeksion.
Të gjithë pacientët e konfirmuar dhe ata nën dyshim janë nga lagje të ndryshme të Shkupit. Vetëm një person kishte qëndruar kohët e fundit në Greqi, ndërsa të tjerët nuk kishin udhëtuar jashtë shtetit. Pjesa më e madhe e të prekurve janë mbi 60 vjeç dhe kanë sëmundje shoqëruese, gjë që i bën më të rrezikuar për forma më të rënda të sëmundjes.
Nga Klinika Infektive paralajmërojnë se ethet e Nilit Perëndimor mund të shkaktojnë përkeqësim të shpejtë dhe të papritur të gjendjes shëndetësore, prandaj nevojitet monitorim i kujdesshëm spitalor. Meqë nuk ekziston një ilaç specifik kundër virusit, terapia fokusohet në lehtësimin e simptomave dhe ruajtjen e funksioneve jetësore.
Autoritetet shëndetësore u bëjnë thirrje qytetarëve të marrin masa mbrojtëse nga pickimet e mushkonjave, pasi ato janë bartësit kryesorë të virusit, me qëllim uljen e rrezikut për infeksione të reja.



