Kallëzim ndaj profesorit dhe nënkryetarit të Odës së Stomatologëve për marrje ryshfeti nga një studente

Policia ka ngritur kallëzim penal ndaj një profesori të Fakultetit të Stomatologjisë, i cili është edhe nënkryetar i Odës Stomatologjike, si dhe ndaj kryetarit të Komisionit për dhënien e provimit profesional për punonjësit shëndetësorë me arsim të lartë në fushën e stomatologjisë pranë Ministrisë së Shëndetësisë, për marrje ryshfeti.

Sipas informacioneve të MPB-së, ata kanë marrë para nga një studente në mënyrë që ajo të pajisej me Certifikatën për provimin e kaluar profesional në fushën e stomatologjisë.

“Me datë 27 korrik, Njësia për Krime Financiare ka ngritur kallëzim penal ndaj tre personave. A.T. (27) nga Manastiri, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale ‘dhënie shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm’, S.Ç. (56) nga Gostivari për ‘marrje shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm’ dhe S.E. (63) nga Shkupi për ‘marrje ryshfeti’. Nga ana e zyrtarëve policorë të Departamentit për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Krimit të Rëndë janë kryer kontrolle te personat e dytë dhe të tretë të kallëzuar, ku janë gjetur dhe konfiskuar mjete financiare në vlerë prej 65.280 euro, 29.840 franga dhe 161.500 denarë”, njoftoi MPB-ja.

Sipas hetimit, A.T., si studente e Fakultetit të Stomatologjisë, me qëllim që të pajisej me Certifikatën për provimin e kaluar profesional për punonjësit shëndetësorë me arsim të lartë në fushën e stomatologjisë, në dhjetor të vitit 2025, pas komunikimeve të shumta përmes aplikacionit Viber, i ka dhënë personit S.Ç., profesor në Fakultetin e Stomatologjisë dhe ish-nënkryetar i Odës Stomatologjike, një shpërblim në formë të parave, të cilat ia ka transferuar në llogarinë e tij bankare.

Paratë i janë dhënë S.Ç. me qëllim që ai të ndikonte te personi S.E., në cilësinë e kryetarit të Komisionit për dhënien e provimit profesional për punonjësit shëndetësorë me arsim të lartë në fushën e stomatologjisë pranë Ministrisë së Shëndetësisë.

Sipas MPB-së, A.T. në sesionin e provimeve të dhjetorit ka hyrë në provim më 17.12.2025 para komisionit të formuar dhe, edhe pse nuk posedonte njohuritë e nevojshme, ka marrë Certifikatën për provimin e kaluar profesional.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button