Tetova forcon kapacitetet për mjedisin dhe energjinë, Kasami: Po ndërtojmë institucione më të përgatitura për tranzicionin e gjelbër

Në Komunën e Tetovës ka nisur sot një trajnim dyditor i organizuar nga organizata “Multikultura”, në partneritet me komunën, në kuadër të projektit për forcimin e kapaciteteve institucionale në fushën e mjedisit jetësor dhe energjetik.

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, njoftoi se trajnimi bashkon përfaqësues të administratës komunale dhe ekspertë, të cilët gjatë dy ditëve do të diskutojnë praktikat më të mira, planifikimin strategjik dhe mekanizmat për hartimin e politikave lokale që kontribuojnë në mbrojtjen e mjedisit dhe tranzicionin e gjelbër.

Sipas Kasamit, ky aktivitet vjen pas themelimit të Sektorit për Mjedis Jetësor dhe Energjetik në Komunën e Tetovës, të cilin e cilësoi si një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të institucioneve më të fuqishme dhe më të përgatitura për t’u përballur me sfidat mjedisore.

“Gjatë dy ditëve të trajnimit, pjesëmarrësit do të punojnë në tema që lidhen me menaxhimin e mjedisit, efikasitetin energjetik, planifikimin institucional dhe zbatimin e iniciativave të gjelbra në nivel lokal”, thuhet në njoftimin e Kasamit.

Trajnimi realizohet në kuadër të projektit “Strengthening Local Governance for Green Transition – Establishing an Environment and Energy Department in Tetovo Municipality”, i mbështetur nga Fondacioni Shoqëri e Hapur – Ballkani Perëndimor.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button