Mucunski: Ohri nuk do të përfshihet në Listën e Trashëgimisë Botërore në rrezik

Në sesionin e tij vjetor të mbajtur në qytetin koreano-jugor Busan, Komiteti i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s vendosi ta shtyjë përfshirjen e Rajonit të Ohrit në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik, deklaroi ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, transmeton Anadolu.
“Ne kemi dëshmuar se diplomacia nuk ka të bëjë thjesht me pjesëmarrjen në takime ndërkombëtare, por me aftësinë për të ndërtuar besim përmes partneritetit dhe për të mbrojtur interesat jetike shtetërore e kombëtare. Vendimi i UNESCO-s është dëshmi e përkushtimit tonë, si dhe një nxitje për punë edhe më intensive në periudhën në vijim”, tha Mucunski.
Sipas tij, draft-vendimi fillestar parashikonte përfshirjen e menjëhershme të rajonit në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik. “Me miratimin e amendamentit, ky formulim u hoq. Në këtë fazë, Rajoni i Ohrit nuk do të përfshihet në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik dhe do ta ruajë statusin e tij si vend i Trashëgimisë Botërore Natyrore dhe Kulturore të UNESCO-s”, tha Mucunski në konferencën për media të qeverisë.
Ai thotë kjo përbën sukses të rëndësishëm diplomatik për vendin.
“Ky rezultat është fryt i një veprimi të koordinuar shtetëror, të udhëhequr nga kryeministri. Gjatë gjithë procesit, kemi punuar në koordinim të ngushtë me Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit, Ministrinë e Transportit, Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, komunat e Ohrit dhe Strugës, si dhe me ambasadën tonë në Paris, e cila luajti rol kyç në komunikimin me UNESCO-n dhe shtetet anëtare të Komitetit të Trashëgimisë Botërore. Në periudhën e kaluar, kemi zhvilluar diskutime intensive, kemi kryer konsultime diplomatike dhe kemi siguruar mbështetje nga shtetet anëtare të Komitetit”, tha ministri Mucunski,.
“Ne i shpjeguam qartë qëndrimet tona dhe prezantuam angazhimet e marra, si dhe vullnetin politik për të mbrojtur rajonin e Ohrit. Kemi punuar me përkushtim dhe koordinim, dhe me një qëllim të qartë për të kapërcyer dallimet përmes dialogut dhe për të forcuar besimin mes partnerëve tanë duke siguruar kështu mbështetjen e nevojshme për vendimin përfundimtar”, tha Mucunski.
Ai theksoi se rajoni i Ohrit përfaqëson një pasuri natyrore dhe kulturore me vlerë të jashtëzakonshme universale, rëndësia e së cilës i kapërcen kufijtë kombëtarë.
“Me karakterin e tij unik natyror, biodiversitetin dhe trashëgiminë e pasur kulturore-historike, Liqeni i Ohrit është një pasuri globale me vlerë të jashtëzakonshme. Si pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, rajoni qëndron si simbol i traditës sonë historike dhe kulturore, si dhe i bashkëpunimit rajonal, zhvillimit të qëndrueshëm dhe kujdesit të përbashkët për trashëgiminë natyrore e kulturore. Vendimi i UNESCO-s shërben si konfirmim i përkushtimit tonë, por edhe si nxitje për përpjekje edhe më intensive në periudhën në vijim”, tha ai.
“Ne i përqafojmë plotësisht të gjitha rekomandimet e Qeverisë lidhur me mbrojtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit. Përmes angazhimit diplomatik, kemi siguruar kohë shtesë për të përmbushur angazhimet tona dhe për të zbatuar planin strategjik të rehabilitimit deri në vitin 2030”, u shpreh mes tjerash Mucunski.
Në sesionin e tij vjetor të mbajtur në qytetin koreano-jugor të Busanit, Komiteti i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s vendosi ta shtyjë regjistrimin e Rajonit të Ohrit në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik. Shtetit i është dhënë periudhë shtesë prej pesë vitesh për të zbatuar rekomandimet lidhur me mbrojtjen e trashëgimisë së tij natyrore dhe kulturore.



