Tetova mirëpret fëmijët e mërgimtarëve me një udhëtim nëpër historinë e qytetit

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka njoftuar për organizimin e aktivitetit edukativ “Njih Tetovën”, në kuadër të manifestimit “Tetova n’festë”, ku fëmijët e mërgimtarëve, por edhe pjesëmarrës të tjerë, patën mundësinë të njihen nga afër me historinë, kulturën dhe trashëgiminë e qytetit.
Kasami bëri të ditur se pjesëmarrësit, të shoqëruar nga dy profesorë, zhvilluan një shëtitje nëpër rrugët e Tetovës, gjatë së cilës u njohën me rëndësinë historike të monumenteve dhe objekteve kulturore, ndërsa njëkohësisht krijuan miqësi të reja dhe përjetuan një ditë aktive.
“Fëmijët e mërgimtarëve, por jo vetëm, sot patën mundësinë të zbulojnë Tetovën përmes një shëtitjeje edukative, duke njohur nga afër historinë, kulturën dhe trashëgiminë e pasur të qytetit tonë”, deklaroi Kasami.
Sipas tij, itinerari përfshiu vizita në disa prej pikave më të rëndësishme historike dhe kulturore të Tetovës, duke nisur nga Komuna e Tetovës, Shtëpia e Halim Pashë Derallës, Ura e Gurit dhe Galeria e Arteve (ish-Hamami), për të vazhduar te Xhamia e Larmë, Konaku i Palloshëve, Teqeja Arabati Baba dhe Muzeu i Mehmet Gegës dhe Rafi Halilit në Çarshinë e Epërme.
Në përmbyllje, Kasami theksoi rëndësinë e aktiviteteve të tilla për njohjen e identitetit të qytetit.
“Një ditë e mbushur me ecje, mësim, histori, kulturë dhe shoqëri, sepse mënyra më e mirë për ta njohur një qytet është ta përjetosh atë”, u shpreh ai.



