Prokuroria ka nisur hetim për ndotjen e ujit të pijshëm në Gostivar

Inspektorët nga Njësia e Jashtme për Punë Kriminalistike në Gostivar, me udhëzim të prokurorit publik nga Prokuroria Themelore Publike në Gostivar, kanë ndërmarrë veprime urgjente në fshatin Vërtok për shkak të dyshimeve për ndotje të ujit të përdorur për furnizimin e Gostivarit.
Sipas SPB Tetovë, ekzistojnë dyshime se NP “Ujësjellësi”, në bashkëpunim me Komunën e Gostivarit, ka vendosur tri pompa në një shtrat me ujëra të zeza, përmes të cilave uji është injektuar në tubacionin kryesor të ujësjellësit, me shumë gjasa me qëllim rritjen e presionit në rrjet për shkak të mungesës së ujit.
Rasti po hetohet për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale “ndotje e ujit të pijshëm”, sipas nenit 219 të Kodit Penal.
Në hetim janë përfshirë policia, Prokuroria, Instituti i Shëndetit Publik, Agjencia për Ushqim dhe Veterinari, Inspektorati Shtetëror për Mjedis Jetësor dhe një ekspert i licencuar për vlerësim profesional të sistemit.



