Shqipëri, deputeti Redi Muçi kërkon shpalljen person “non grata” të ministres serbe Paunoviq

Deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Redi Muçi, ka kërkuar që Shqipëria të konsiderojë shpalljen si person “non grata” të ministres serbe të Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, mbi deklaratat e saj për “spastrim etnik” në Kosovë, raporton Anadolu.
Deputeti Muçi, i partisë opozitare Lëvizja Bashkë gjatë seancës së sotme parlamentare tha se Kosova i ka bëre thirrje qeverisë shqiptare që gjithashtu të mbajë qëndrim të fortë për çështjen në fjalë.
“Çfarë pret qeveria shqiptare dhe kryeministri i Shqipërisë për të reaguar ndaj deklaratës së ministres serbe Paunoviq se do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën nga shqiptarët, por edhe ndaj mbështetjes që i dha kësaj deklarate zëvendëskryeministri (Ivica) Daçiq. Ministri i Jashtëm i Kosovës bën thirrje për qeverinë shqiptare që gjithashtu të mbajë qëndrim të fortë, ta shpallë (Paunoviq) person ‘non grata'”, tha Muçi
Paunoviq gjatë një emisioni ka deklaruar se po të ishte në vend të ish-presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviq në vitin 1998, “do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën”.
Deklaratat e saj kanë shkaktuar reagime të forta në Shqipëri dhe Kosovë. Autoritetet e Kosovës e kanë shpallur person “non grata” ministren Paunoviq.



