Turqi, mbahet Forumi “Bektashizmi në Anadoll dhe Ballkan nga historia deri në ditët e sotme”

Në rrethin Hacibektas të qytetit turk Nevsehir u mbajt forumi me temë “Bektashizmi në Anadoll dhe Ballkan nga historia deri në ditët e sotme”, raporton Anadolu.

Aktiviteti u zhvillua në Qendrën Kulturore “Haci Bektas Veli” në bashkëpunim mes Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, Presidencës për Kulturën Alevite-Bektashiane dhe Xhemevitë si dhe Presidencës së Komunikimeve.

Pas mbajtjes së një minute heshtje, intonimit të himnit të Turqisë dhe shfaqjes së një filmi të shkurtër, u lexuan mesazhet e Dervish Ali Kerimoskit nga Maqedonia e Veriut, Dervish Tomasso Parlantit nga Italia dhe Baba Eliton Pashajt nga SHBA-ja, të cilët nuk mundën të merrnin pjesë në program.

Kryetarja e Presidencës për Kulturën Alevite-Bektashiane dhe Xhemevitë, Esma Ersin, në fjalën e saj tha se aktiviteti u organizua me qëllim që ura e urtësisë që shtrihet nga Anadolli në Ballkan të trajtohet me rrënjët e saj historike dhe vizionin për të ardhmen.

Duke theksuar se Haxhi Bektash Veliu është një pishtar i pashuar i dashurisë, tolerancës dhe unitetit, Ersin tha se mesazhet e tij universale janë nderuar në këto troje prej shekujsh.

Duke kujtuar se Presidenca për Kulturën Alevite-Bektashiane dhe Xhemevitë u themelua në vitin 2022, Ersin tha: “Presidenca jonë është nisur me synimin për t’i dhënë kuptimin e merituar titullit ‘Bektashi’, të cilin e mban me krenari në emrin e saj dhe për t’i shërbyer ekskluzivisht kësaj rruge të shenjtë. Ne, si Presidencë për Kulturën Alevite-Bektashiane dhe Xhemevitë, jemi të vetëdijshëm për peshën e emrit që mbajmë dhe misionit që kemi marrë përsipër”.

Ersin bëri të ditur se si Presidencë organizojnë aktivitete të ndryshme me qëllim forcimin e lidhjeve shpirtërore me Ballkanin në baza akademike dhe kulturore.

“Me qëllim që dashurinë për Ehlibejtin dhe rrugën tonë t’ua përcjellim brezave të ardhshëm nga burimet më të sakta, ditët e fundit përjetuam kënaqësinë e përgatitjes me përpikëri dhe sjelljes në jetën tonë kulturore Velajetnamenë e Haxhi Bektash Veliut. Për të ruajtur kujtesën e rrugës sonë, në Bibliotekën e Specializuar Alevite-Bektashiane Kaygusuz Abdal, në kuadër të Presidencës sonë, kemi mbledhur burime të rëndësishme që lidhen me besimin dhe kulturën tonë dhe i kemi vënë në shërbim të studiuesve tanë që punojnë në këtë fushë”, tha Ersin.

“Dua ta shpreh me gjithë zemër se këto punime që po zhvillojmë për ruajtjen, hulumtimin dhe përcjelljen në mënyrë të drejtë të kulturës bektashiane do të vazhdojnë pa ndërprerje edhe në të ardhmen, me të njëjtin përkushtim dhe me një angazhim shumë më të madh. Ky forum është një kuvend për të kuptuar sërish atë trashëgimi të lashtë, të filtruar ndër shekuj, përballë sprovave që sjell koha jonë dhe për të bartur drejt së ardhmes një vizion më të fuqishëm dhe një vullnet të palëkundur për unitet”, u shpreh ajo.

Ersin shtoi se ruajtja e së drejtës së unitetit dhe vëllazërisë kalon përmes takimit në dritën e bisedës dhe mendimit të përbashkët. Sipas saj, përkujdesja për këtë trashëgimi në Anadoll dhe Ballkan do të mundësojë ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët mbi themele shumë më të forta.

Forumi vazhdoi me sesionet me temat “Rrënjët historike dhe sufiste: Përhapja e bektashizmit nga Anadolli në Shqipëri dhe në Ballkan”, “Hapësira, kultura dhe vullneti: Ndikimet kulturore të teqeve bektashiane në Ballkan” dhe “Kujtesa e përbashkët dhe vizioni për të ardhmen: Roli i bektashizmit në zhvillimin e marrëdhënieve me Ballkanin”.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button