VLEN: Ku përfunduan 9 milionë eurot e BE-së, ndërsa Zajazi i Ali Ahmetit mbeti pa kanalizim?

VLEN akuzoi BDI-në për mungesë transparence dhe dyshime për keqpërdorim të mbi 9 milionë eurove fonde të Bashkimit Evropian të destinuara për projektin e kanalizimit në Zajaz, duke kërkuar hetim të plotë nga institucionet vendore dhe evropiane.

Në një konferencë për media, zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Driton Sulejmani, tha se projekti, i cili sipas tij duhej të përfundonte në vitin 2024, ka mbetur i parealizuar, ndërsa tashmë edhe Bashkimi Evropian po kërkon sqarime.

“Tani pyetjet nuk po i bën vetëm VLEN-i, por edhe Bashkimi Evropian ka nisur të kërkojë përgjigje. Opinioni duhet të dijë kush e raportoi projektin si të përfunduar, mbi cilat dokumente dhe mbi çfarë baze”, deklaroi Sulejmani.

Ai tha se VLEN e kishte ngritur këtë çështje edhe dy javë më parë, duke kërkuar publikimin e të gjitha kontratave, pagesave dhe përgjegjësive që lidhen me projektin.

Duke iu referuar deklaratës së ambasadorit të Bashkimit Evropian, Michalis Rokas, Sulejmani tha se institucionet evropiane po mbledhin dokumentacion për projektin, gjë që, sipas tij, dëshmon se rasti po merr vëmendje edhe në nivel evropian.

“Populli thotë se dielli nuk mbulohet me shoshë. Por dikush paska menduar se këtë skandal mund ta mbulojë përgjithmonë me disa letra e vula”, u shpreh ai.

VLEN kërkoi nga Prokuroria Publike dhe Policia Financiare ta zgjerojnë hetimin dhe të bashkëpunojnë me institucionet e Bashkimit Evropian për zbardhjen e plotë të rastit.

“U desh Ali Ahmeti të shkojë në opozitë që i gjithë llumi të dalë në sipërfaqe. Madje të dalë edhe arsyeja pse Zajazi, vendlindja e tij, mbeti pa kanalizim”, tha Sulejmani.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button