Historike: Maqedonia e Veriut ndërhyn për herë të parë nga ajri për shuarjen e zjarrit në Kosovë

Maqedonia e Veriut për herë të parë po realizon ndërhyrje ajrore për shuarjen e një zjarri jashtë territorit të vendit, pas kërkesës zyrtare për ndihmë nga Republika e Kosovës.

Drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Muhamed Ali, njoftoi se pas pranimit të kërkesës nga autoritetet kosovare, janë aktivizuar kapacitetet e vendit për të ndihmuar në përballimin e situatës.

“Pas pranimit të kërkesës nga Kosova, si Drejtor i Qendrës për Menaxhim me Kriza, kam qenë në koordinim të drejtpërdrejtë dhe të vazhdueshëm me të gjitha institucionet kompetente, për aktivizimin e kapaciteteve tona”, deklaroi Ali.

Aktualisht, një helikopter i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut po kryen ndërhyrje nga ajri në zonën e Hanit të Elezit, në mbështetje të ekipeve që po luftojnë me zjarrin.

Sipas Aliut, ndërhyrja nuk paraqet vetëm një aksion për shuarjen e flakëve, por edhe një dëshmi të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

“Mbi të gjitha, kjo është më shumë se një operacion për shuarjen e një zjarri. Kjo është dëshmi se solidariteti, bashkëpunimi dhe gatishmëria për të ndihmuar nuk njohin kufij”, theksoi ai.

Ali shtoi se Qeveria dhe zyrtarët e VLEN-it mbeten të përkushtuar në forcimin e këtyre vlerave dhe të bashkëpunimit rajonal.

“Qeveria në tërësi dhe zyrtarët e VLEN-it në veçanti ngelin të përkushtuar në fuqizimin e këtyre vlerave”, tha ai.

Drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza e përmbylli njoftimin me mesazhin: “Kosova kërkoi ndihmë. Maqedonia e Veriut u përgjigj. Kur rrezikohet jeta dhe natyra, ne veprojmë.”

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button