Gjiganti rus i energjisë financoi dhe kontrolloi fshehurazi një projekt gazi prej 25 miliardë dollarësh në Alaskë

Më pas, disa drejtues të lartë të kompanisë u larguan nga detyrat e tyre.
Sipas personave të njohur me negociatat, të cituar nga The New York Times, projekti ishte pjesë e diskutimeve që Putini zhvilloi muajin e kaluar me Steve Witkoff dhe Jared Kushner.
Marrëveshjet në sektorin e energjisë kanë qenë pjesë e përpjekjeve të Uashingtonit për të arritur një marrëveshje me Moskën lidhur me luftën në Ukrainë.
Financimi pas projektit
Polar LNG planifikon të përdorë pajisje të kompanisë Novatek për të lëngëzuar gazin nga rajoni North Slope i Alaskës, me qëllim transportimin e tij drejt klientëve në Azi.
Projekti, i nisur në mars, kërkoi lejen e Departamentit amerikan të Thesarit për të negociuar me kompaninë ruse, por nuk kishte marrë ende miratimin.
Riddle, ish-inxhinier i kompanisë ExxonMobil, tha se fillimisht besonte se financimi vinte nga investitori Gentry Beach, i lidhur me Trumpin, dhe nga kompania Tech Wave Industrial Projects Management, me seli në Abu Dabi.
Më vonë, ai arriti në përfundimin se Beach nuk kishte investuar në projekt dhe se kapitali po sigurohej nga Novatek.
“Jepja dorëheqjen nga posti i drejtorit ekzekutiv të Polar LNG-së, sepse ndihesha i pakëndshëm që kompania ruse Novatek po financonte dhe, në fund të fundit, po kontrollonte drejtimin strategjik të kompanisë”, deklaroi Riddle për Financial Times.
Mesazhet e shqyrtuara nga gazetat tregojnë se drejtues të lartë të Novatek-ut diskutonin financimin e projektit.
Sipas The New York Times, këto komunikime përfshinin mundësinë e transferimit të deri në 15 milionë dollarëve për Tech Wave, për financimin e Polar LNG-së, përfshirë një pagesë fillestare të parashikuar prej 5 milionë dollarësh.
Novatek i tha The New York Times se po synonte të merrte një pjesëmarrje aksionare të pakicës në projekt.
Kjo pjesëmarrje e mundshme është e ndarë nga pretendimi i Riddle se kompania ruse tashmë ushtronte kontroll përmes financimit.
Tech Wave deklaroi se Novatek nuk zotëronte aksione në biznesin e saj. Sipas kompanisë, Bjørn Gundersen, një ish-drejtues i Novatek-ut i përfshirë në projekt, kishte siguruar fonde personale dhe para të marra hua.
Largimet nga kompania dhe shqetësimet për sanksionet
Riddle dha dorëheqjen më 19 shtator. Ndër personat e tjerë që u larguan ishin drejtori financiar Dan Chandra dhe zëvendëspresidenti ekzekutiv Jim Smith.
Një opinion ligjor i përgatitur nga firma Baker Botts paralajmëronte se zyrtarët amerikanë shihnin rreziqe të mundshme për shkeljen e sanksioneve ndaj Rusisë, për shkak të lidhjeve të projektit. Një nga shqetësimet lidhej me një investitor, për të cilin zyrtarët besonin se mund të vepronte në emër të Novatek-ut.
Sipas The New York Times, drejtuesit që u larguan njoftuan zyrtarë të administratës amerikane dhe kërkuan nisjen e një hetimi.
Polar LNG kundërshtoi versionin e Riddle për largimin e tij, duke e përshkruar atë si një ish-drejtues të pakënaqur dhe duke deklaruar se ishte shkarkuar për arsye të justifikuara.
Megjithatë, dokumentet e shqyrtuara nga The New York Times tregojnë se dorëheqja e tij parapriu me gjashtë ditë letrën e kompanisë për ndërprerjen e marrëdhënies së punës.
“Veprimtaritë për zhvillimin e projektit po zhvillohen në përputhje të plotë me ligjet përkatëse të Shteteve të Bashkuara”, deklaroi Polar LNG.
Kompania emëroi Tim Talkington, ish-drejtuesin e operacioneve të Goldman Sachs në Rusi, si drejtor ekzekutiv të përkohshëm.
Ajo deklaroi se Tech Wave kishte financuar punën paraprake dhe se po kërkonte investitorë amerikanë.
Teknologji ruse, miratime amerikane
Projekti parashikon blerjen e një platforme prej 640.000 tonësh, që vendoset në shtratin e detit, nga kompania Novatek, si dhe instalimin e pajisjeve për lëngëzimin e gazit në brigjet veriore të Alaskës, pranë Milne Point.
Novatek përdor teknologji të ngjashme në projektin Arctic LNG 2, ndaj të cilit Uashingtoni vendosi sanksione në vitin 2023.
Persona të njohur me diskutimet diplomatike i thanë Financial Times se ishte shqyrtuar mundësia e lehtësimit të sanksioneve ndaj këtij impianti në këmbim të kontributit të Novatek-ut në projektin e Alaskës.
Novatek mohoi se qasja në teknologjinë e saj varej nga heqja e sanksioneve ndaj Arctic LNG 2.
Kompania e përshkroi projektin në Alaskë si një nismë të pavarur, e cila kërkon autorizimin e të dyja qeverive.
Polar LNG ende ka nevojë për miratimin e Departamentit amerikan të Thesarit për të blerë pajisjet ruse, si dhe për autorizimin federal për ndërtimin e një impianti eksporti.
Dokumentet e brendshme identifikojnë gjithashtu ujërat e cekëta, rrezikun e ndërprerjes së gjuetisë tradicionale të balenave nga komunitetet indigjene dhe kundërshtimin lokal si pengesa për realizimin e projektit.
Kjo nismë do të konkurronte me një projekt tjetër të gazsjellësit në Alaskë, me vlerë 50 miliardë dollarë, i cili tashmë ka mbështetjen e administratës Trump. /ClashReport/



