Humb jetën shtetasi i Maqedonisë i cili ndodhej në qendrën e paraburgimit në Vlorë

Shtetasi i Maqedonisë së Veriut B.L. (54), i cili ndodhej në qendrën e paraburgimit në qytetin bregdetar të Vlorës, ndërroi jetë pas një ataku kardiak.
“Sipas informacioneve fillestare, ai ka shfaqur probleme shëndetësore dhe pësoi atak kardiak, për këtë arsye u transferua menjëherë në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ata nuk arritën ta rianimojnë. Autoritetet po ndërmarrin veprimet e nevojshme për të sqaruar të gjitha rrethanat”, raportuan mediat shqiptare.
Policia shqiptare arrestoi B.L. më 25 prill në Vlorë, ku ai kishte marrë me qira një banesë të cilin, sipas policisë, e kishte shndërruar në një “bazë droge”.
“Policia në Vlorë ka zbuluar një rast të shpërndarjes së drogës, pas një operacioni të zbatuar nga specialistët e hetimit për narkotikë. U arrestua shtetasi i Maqedonisë së Veriut B.L. (53), i cili kishte marrë me qira një banesë në lagjen “10 Korriku” ku ruante dhe përgatiste drogën, kokainën dhe marihuanën, në pako më të vogla”, njoftoi policia në atë kohë.
Gjatë bastisjes, policia gjeti në banesë një sasi të konsiderueshme kokaine dhe marihuane, një peshore elektronike dhe disa telefona celularë.
Në aksion u arrestuan edhe shtetasit shqiptarë A.I. (31) nga Vlora dhe K.A. (27) nga Berati, të cilët akuzohen për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes së drogave narkotike”.



