Bekim Sali: 15 Korriku mbetet simbol i mbrojtjes së lirisë dhe demokracisë

Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, ka përkujtuar përvjetorin e 15 korrikut 2016, duke shprehur solidaritet me Republikën e Turqisë dhe duke dënuar tentativën për grusht shteti.

“Sot, në përvjetorin e 15 korrikut 2016 të grushtit të shtetit mbi Republikën e Turqisë, i kujtojmë me respekt të gjithë qytetarët që, me guxim dhe vendosmëri, iu kundërvunë përpjekjes për ta rrënuar rendin demokratik dhe institucionet demokratike, legjitime e legale të Republikës së Turqisë. Kjo datë mbetet një kujtesë e fuqishme se demokracia, liria dhe vullneti i qytetarëve janë vlera që duhen mbrojtur me çdo kusht, qoftë edhe me çmimin e jetës.

Grushti i shtetit i 15 korrikut ishte një sulm i papranueshëm ndaj rendit kushtetues, institucioneve demokratike dhe të drejtës së qytetarëve për ta përcaktuar të ardhmen e tyre përmes mekanizmave demokratikë. Me këtë rast e dënojmë pa mëdyshje këtë akt, si dhe çdo përpjekje tjetër që synon ta minojë demokracinë, stabilitetin dhe sundimin e ligjit. Po ashtu, si miq dhe aleatë, i mbështesim përpjekjet e shtetit turk në qëndrimin e tyre ndaj autorëve të atij grusht shteti.

Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Turqisë kultivojnë marrëdhënie të mira miqësore dhe partneritet të ndërtuar mbi respekt reciprok dhe bashkëpunim euro-atlantik. Në këtë ditë përkujtimi, duke u lutur për dëshmorët e 15 korrikut, shprehim solidaritetin tonë me popullin dhe institucionet e Turqisë, duke e riafirmuar përkushtimin tonë të përbashkët për mbrojtjen e demokracisë, paqes dhe stabilitetit”, ka deklaruar Sali.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button