Stevço Jakimovski hyri në burg, dënimin do ta vuajë në Shutkë

Ish-kryetari i Komunës së Karposhit, Stevço Jakimovski, ka hyrë në burgun e Shutkës, ku do ta vuajë dënimin me një vit burg, mëson portali „Skopje1“.

Sipas informacioneve, Jakimovski është paraqitur vullnetarisht për vuajtjen e dënimit, ndërsa sipas procedurave të burgut, fillimisht do të vendoset në repartin pranues të institucionit.

Më herët, nga Gjykata Themelore Penale e Shkupit njoftuan se më 2 korrik 2026 ai ishte udhëzuar të paraqitej në Burgun e Shkupit për të filluar vuajtjen e dënimit.

Megjithatë, fillimi i vuajtjes së dënimit u shty me kërkesën e tij, të dorëzuar më 12 qershor, në të cilën ai ishte thirrur në arsye shëndetësore.

Nga Gjykata bënë të ditur se nga dy institucionet private shëndetësore të përmendura nga Jakimovski në kërkesën e tij ishte kërkuar dokumentacion shtesë mjekësor lidhur me gjendjen e tij shëndetësore, por deri në atë moment nuk ishte marrë përgjigje. Për këtë arsye, më 26 qershor gjykata u kishte dërguar edhe një urgjencë këtyre institucioneve.

Gjykata theksoi se vendimi nëse dhe për sa kohë do të shtyhej vuajtja e dënimit duhej të merrej pasi të shqyrtohej i gjithë dokumentacioni mjekësor, prandaj Jakimovski nuk u paraqit në burg më 2 korrik, siç ishte përcaktuar fillimisht.

Jakimovski është dënuar me vendim të formës së prerë me një vit burg për ndërtimin e paligjshëm të objektit të komunës së Karposhit. Në dënimin e tij do të llogariten edhe pesë muajt që ai kaloi në paraburgim shtëpiak.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button