Trump: Asnjë vend “nuk duhet të ketë të drejtë” të vendosë tarifë për Ngushticën e Hormuzit

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se asnjë vend nuk duhet të lejohet të vendosë tarifa për kalimin nëpër Ngushticën e Hormuzit, raporton Anadolu.
“Ne do të dëshironim që të investohej jashtëzakonisht shumë në SHBA, në vend që të vendoset një tarifë. Dhe në fakt kjo më pëlqen, sepse nuk mendoj se askush duhet të jetë në gjendje të vendosë tarifë për ngushticën ose për ndonjë marrëdhënie tjetër lidhur me ngushticat në pjesë të tjera të botës”, tha Trump gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë me kryeministrin irakian, Ali al-Zaidi.
Trump tha se vendet e Gjirit kishin shprehur gatishmëri për të rritur investimet në SHBA në vend që të mbështeten te tarifat e tranzitit.
“Vendet e Gjirit do të investojnë një shumë të jashtëzakonshme parash në SHBA dhe kjo ishte shumë e kënaqshme për mua. Mendoj se në fakt është shumë më mire”. Tha ai.
Presidenti amerikan tha se kishte biseduar me liderët e Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe, Katarit, Bahreinit dhe Kuvajtit.
“Fola me të gjithë ata dhe ata do të donin të investonin më shumë para në Shtetet e Bashkuara në nivele rekord, dhe kjo do të ishte shumë e pranueshme”, tha ai, duke shtuar: “Në këtë mënyrë, nuk ka tarifë. Nuk më pëlqen ideja e një tarife”.
Trump argumentoi se ishte e padrejtë që SHBA-ja të mbante barrën e mbrojtjes së një rruge strategjike detare të përdorur nga vendet në mbarë botën, pa marrë në këmbim përfitime më të gjera ekonomike.
“Nuk është e drejtë që ne po e mbrojmë këtë ngushticë për të gjithë botën”, tha ai.
I pyetur nëse ishte penduar për heqjen e një bllokade detare apo dhënien e përjashtimeve nga sanksionet, Trump tha se kishte kërkuar t’i japë një mundësi diplomacisë, por fajësoi Iranin për përshkallëzimin e konfliktit.
“Jo. Unë u dhashë atyre një mundësi. Doja t’u jepja një shans për të arritur një marrëveshje dhe ata qëlluan të parët, dhe ky ishte një gabim i madh që qëlluan të parët, sepse ne i kemi goditur fuqishëm”, shtoi ai.



