Rikonstruimi i Qeverisë së RMV-së: Kuvendi shkarkoi tetë ministra, vazhdon debati për emrat e rinj

Deputetët në Kuvend miratuan shkarkimin e tetë ministrave të propozuar nga kryeministri Hristijan Mickoski. Shtatë prej tyre largohen nga Qeveria, ndërsa njëri do të kalojë në një dikaster tjetër. Ivan Stoilkoviq, nga posti i zëvendëskryeministrit dhe ministrit për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, do të emërohet ministër i Vetëqeverisjes Lokale.
Ministrat e tjerë të shkarkuar janë:
Igor Fillkov – ministër i Drejtësisë,
Cvetan Tripunovski – ministër i Bujqësisë,
Zllatko Perinski – ministër i Vetëqeverisjes Lokale,
Zoran Ljutkov – ministër i Kulturës,
Azir Aliu – ministër i Shëndetësisë,
Fatmir Limani – ministër i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë,
Shaban Saliu – ministër pa resor dhe zëvendëskryeministër i ngarkuar për zbatimin e Dekadës së Romëve.
Shkarkimi i tyre u mbështet me më shumë se dy të tretat e votave të deputetëve. Në varësi të funksionarit, nga 83 deri në 95 deputetë votuan pro.
Për shkarkimin e gjashtë ministrave nuk pati asnjë votë kundër apo të përmbajtur, por kjo nuk ndodhi me dy ministrat e tjerë.
Kundër shkarkimit të ministrit të Shëndetësisë, Azir Aliu, votuan tre deputetë, ndërsa tre të tjerë abstenuan. Një votë kundër pati edhe për shkarkimin e Fatmir Limanit nga posti i ministrit të Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë. Megjithatë, të dy u shkarkuan me 86, respektivisht 85 vota pro.
Gjatë debatit, deputetë të opozitës thanë se ky rindërtim i Qeverisë më shumë i ngjan një përgatitjeje për zgjedhje të parakohshme parlamentare në pranverën e vitit 2027, sesa një përgjigjeje ndaj problemeve reale të qytetarëve.
Një pjesë e deputetëve u përqendruan te sektori i shëndetësisë.
“Problemi nuk është vetëm ministri si figurë. Ministri i Shëndetësisë nuk kishte mbështetjen e partisë që e solli në këtë post dhe as përkrahjen e duhur nga pushteti. Viktima më e madhe gjatë këtyre dy viteve ishte shëndetësia. Çfarë mund të bëjë një ministër kur projektet mbeten pa financim, kur nuk ka mbështetje politike, kur nuk miratohen punësimet që kërkon nga Ministria e Financave dhe kur çdo vendim kalon në filtër partiak? Ministrat e ardhshëm mos i lini vetëm, sepse kjo nuk është e dëmshme vetëm për ministrin, por për shtetin”, deklaroi deputeti i BDI-së, Ilir Hasani.
Deputetja e Levicës, Jovana Mojsoska, tha se ky është ministri i tretë i Shëndetësisë që emërohet brenda dy vitesh, ndërsa personat me hemofili ende përballen me mungesë të barnave.
“Kemi ndërruar më shumë ministra të Shëndetësisë sesa janë ndërtuar qendra klinike në 35 vjet”, tha ajo, duke shtuar se ky resor shihet vetëm si ndarje e posteve partiake dhe jo si mundësi për përparim.
Nga ana tjetër, kryeministri Mickoski falënderoi ministrat që po largohen nga detyra.
“Sot nuk po ndahemi nga njerëz që nuk kanë punuar. Përkundrazi, po u japim mirënjohje njerëzve që në rrethana dhe resore të ndryshme, përballë sfidave të ndryshme, kanë dhënë kontribut në realizimin e programit për të cilin qytetarët na dhanë besimin”, deklaroi Mickoski.
Pas votimit për shkarkimet, seanca parlamentare vazhdoi me debatin për zgjedhjen e ministrave të rinj.
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, duke parë numrin e madh të deputetëve të paraqitur për fjalë, komentoi se pritet një “debat i frytshëm”.
Sipas propozimit të kryeministrit Hristijan Mickoski, të harmonizuar me partnerët e koalicionit VLEN dhe ZNAM, ministër i Shëndetësisë pritet të zgjidhet drejtori aktual i Fondit për Sigurim Shëndetësor, Sasho Klekovski (VMRO-DPMNE), ndërsa profesorit universitar Jeton Shasivari i është propozuar posti i ministrit të Drejtësisë.
Për ministër të Bujqësisë është propozuar Borçe Serafimovski (ZNAM), i cili deri më tani ishte sekretar shtetëror në këtë ministri.
Po ashtu, zëvendësministrat aktualë Gjoko Velkovski (VMRO-DPMNE) në Ministrinë e Politikës Sociale dhe Sedat Sulejmani (VLEN) në Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit janë propozuar për ministra.
Ndërkohë, koordinatori kombëtar Erdxhan Demir është propozuar për ministër pa resor, i cili pritet të jetë përgjegjës për Dekadën e Romëve.
Ivan Stoilkoviq do të kalojë nga Ministria për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive në Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale, ndërsa për ministër të Marrëdhënieve Ndërmjet Bashkësive është propozuar Agon Ferati.
VMRO-DPMNE merr gjithashtu drejtimin e Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, të cilën do ta udhëheqë Gjoko Velkovski, duke pasuar Fatmir Limanin, i cili ishte pjesë e VLEN-it, por muajt e fundit është larguar nga ky koalicion, që ndërkohë është shndërruar në parti politike.
Pozicioni i zëvendëskryeministrit për qeverisje të mirë, të cilin e mbante Arben Fetai nga VLEN, nuk do të ekzistojë në qeverinë e rikonstruktuar. Ky funksion do të mbulohet nga kryeministri.



