Shpejtësi ekstreme në autostradë, 175 km/h, arrestohet shoferi suedez në Tabanoc

Një 39-vjeçar nga Suedia është privuar nga liria pasi në autostradën A-1, pranë Demir Kapisë, është kapur duke drejtuar automjetin me shpejtësi prej 175 kilometrash në orë, në një segment ku shpejtësia maksimale e lejuar ishte 80 kilometra në orë.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, rasti është zbuluar më 27 gusht, rreth orës 16:00, në Pikën Kufitare Tabanoc, në dalje të vendit.
“Më 27.08.2026, rreth orës 16:00, në Pikën Kufitare Tabanoc, në dalje të shtetit, nëpunësit policorë kanë bërë verifikimin e automjetit të udhëtarëve ‘Folksvagen’, me targa kombëtare serbe, i drejtuar nga M.S. (39) nga Suedia”, thuhet në komunikatën e MPB-së.
Gjatë kontrollit përmes sistemit “Qyteti i Sigurt”, policia ka konstatuar se shoferi ishte evidentuar si autor i veprës penale sipas nenit 297-a të Kodit Penal, që lidhet me “drejtimin e pakujdesshëm të automjetit motorik”.
“Gjatë verifikimit të kryer përmes sistemit ‘Qyteti i Sigurt’, është konstatuar se M.S. ishte i evidentuar si kryerës i veprës penale sipas nenit 297-a të Kodit Penal – ‘drejtim i pakujdesshëm i automjetit motorik’”, njofton MPB.
Sipas policisë, shkelja është regjistruar në autostradën A-1, në afërsi të Demir Kapisë, ku automjeti është drejtuar me 175 km/h, edhe pse kufiri i lejuar ishte 80 km/h.
“M.S. është privuar nga liria dhe ndaj tij do të paraqitet kallëzim penal përkatës”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Shoferi është ndaluar në pikën kufitare gjatë përpjekjes për të dalë nga territori i Maqedonisë së Veriut.

