Vala e të nxehtit godet Francën, mbi 68 mijë familje mbeten pa energji elektrike

Rreth 68 mijë familje mbetën sot pa energji elektrike në Francën perëndimore për shkak të një vale të vazhdueshme të nxehtësisë, transmeton Anadolu.
Departamenti më perëndimor i Francës, Finistere, pësoi ndërprerje të energjisë elektrike të martën vonë, e cila lidhej me nxehtësinë ekstreme që po prek zonën. Duke iu referuar platformës amerikane të mediave sociale X, prefekti i Finisteres tha se 106 mijë familje u prekën në kulmin e ndërprerjes.
Rreth 68 mijë familje mbetën pa energji elektrike në pjesën jugperëndimore të departamentit, shtoi ai. Ndërprerja ndodhi pas një incidenti që përfshinte dy transformatorë të operuar nga operatori i sistemit të transmetimit të energjisë elektrike të Francës, RTE.
Prefekti tha se RTE nuk do të jetë në gjendje të rilidhë familjet e prekura gjatë ditës dhe se rivendosja e energjisë do të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur deri në fund të së mërkurës.
“Prioritet po i jepet rivendosjes së energjisë elektrike në institucionet e kujdesit shëndetësor dhe vendet e ndjeshme. Shtëpitë e pleqve ku energjia elektrike nuk është rivendosur përmes rrjetit do të pajisen me gjeneratorë”, shtoi prefekti.
Ndërprerja e energjisë elektrike për shkak të nxehtësisë ndodhi ndërsa 58 departamente, përfshirë Finisteren, u vunë nën alarm të kuq për shkak të temperaturave të larta që pritej të arrinin 40 gradë Celsius në disa pjesë të vendit.
Shërbimi kombëtar i motit “Meteo-France” lëshoi alarm portokalli për 31 departamente.



