Pështjellimi i përzier

Shkruan: Iljasa Salihu

Nëpër këngë e nëpër stadiume, fuqishëm bërtasim dhe brohorasim se jemi një, por me përfundimin e këngës dhe lojës së futbollit, dëshmojnë se jemi njëmijë e kusur, jemi euforik, të vrullshëm në çast, të shpejtë në stigje të maratonës, që kurrë nuk arrijmë ta prekim fundin e orvatjes sonë. Tashmë edhe hipokrizinë e kemi përbrendësuar deri në mishërim. Në fjalët dhe sjelljet tona e kemi bërë të padukshme hipokrizinë, hije kalimtare, aq sa, nëse na cilëson dikush si hipokrit, vrik e vrik do t’i hidhemi me thonj në qafë se po na fyen rëndë. Në mjediset dhe mendësitë e këtilla, edhe përkrahja në dukje e sinqertë është me bisht mbrapa. Ndarja dhe pozicionimi tashmë po përshkohet në një perimetër më të gjerë. Protestat në Tiranë vetëm sa e zgjeruan këtë perimetër dhe këtë pozicionim, që nisi në mbrojtje të natyrës së egër, shpezëve të rrallë, uzurpimit të pronave nga oligarkët që historikisht kanë dëshmuar se duke qenë mysafirë mund të bëhen pushtues të egër, por me gjasë kjo protestë që është shndërruar në një lumë njerëzisht të pakënaqur dhe të mllefosur me qeverisjen e Ramës, do të kurorëzohet me ndryshimin e qeverisjes, por jo domosdoshmërisht me prurjen e një Shqipërie të re, ngaqë kemi shembuj sa të duash se rrëzimi euforik i qeverive nuk solli ndryshime thelbësore afatgjate. Shembull e kemi Pranverën Arabe ku edhe atë vjeshtë që e kishte, sakaq e shndërruan në dimër. Po ashtu, edhe protestat laramane të Zaevit, ku tani me ardhjen e VMRO-s po shihet se asnjë ndryshim thelbësor dhe i qëndrueshëm nuk paskësh ndodhur, vetëm sa e ndërsyen edhe më tepër VMRO-n në nacionalizmin e tyre shpeshherë të verbër.

Kështututje, në kuadër të kësaj fryme algoritmike, shohim se ata që janë me Vetëvendosjen, janë edhe me VLEN-in dhe pjesërisht edhe me Partinë Demokratike të Shqipërisë dhe detyrimisht kundër BDI-së, PDK-së dhe PS-së së Ramës. Jo pse i tërë ky pozicionim mund të ketë ndonjë arsyeshmëri argumentuese, por tashmë kemi të bëjmë me një pozicionim algoritmik. Për arsye se po t’i shohim në kuptimin e orientimit politik, Vetëvendosja më shumë do të duhej të ishte me PS-n sesa me VLEN-in dhe PDK-ja më shumë me VLEN-in sesa me BDI-n. Në frymën e kësaj, ambasadori shqiptar në Shkup, i cili me të drejtë përkrahte protestën e studentëve për provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, tani hesht për protestën kaq të madhe në Tiranë, gjegjësisht nuk bëzan për vlimin në vatrën e tij. Ndërsa, protagonistë të Vetëvendosjes dhe të VLEN-it, që publikisht nuk e përkrahën protestën e studentëve, tani po e përkrahin protestën në Tiranë, edhe pse kokat e këtyre lëvizjeve politike, publikisht sillen të matur, fare pak të dukshëm. PDK-ja dhe BDI-ja nuk e përkrahin protestën në Tiranë, kuptohet me gjithë përkrahësit e këtyre partive, ani pse mund të kenë shumë arsye për ta përkrahur, por algoritmi dhe jo arsyeja nuk e lejon një gjë të tillë, prandaj mendimi dhe pozicionimi i paanshëm dhe parimor gjithnjë e më shumë po merr arratinë nga mjedisi dhe mendësia jonë dhe për rrjedhojë edhe vështrimet e vërshuara nga parimet janë të vështira.

Gjithsesi, harrojmë se nëse pranojmë që i përkasim të njëjtit trung, por me degë të ndara, atëherë nuk do të duhej të shqetësohej askush se pse në raste të caktuara Tirana përzihet në Shkup, Tetova në Tiranë, Tirana në Prishtinë, Shkodra në Prizren, Prishtina në Tiranë, Kumanova në Preshevë e mërgata në atdhe. Vetëm përzierja le të jetë për mirë, për zhvillim, ngritje në dituri, sukses në sport, jetësim të të drejtave kombëtare dhe qytetare, shporrje e korrupsionit dhe e të korruptuarve, përmirësim të cilësisë së jetës, kultivim të marrëdhënieve të mira ndëretnike dhe ndërfetare. Në të kundërtën, mospërzierje do të thotë mosinteresim, shpërfillje, ndarje, thellim i hendekut të mosnjohjes. Madje, qyshkur e mësuam përmendësh këtë fjali: “unë kam jetën time, trupin tim, zgjedhjen time, bëj çfarë dua dhe askujt nuk i jap llogari për asgjë, nuk kam nevojë për askënd, krejt vet i kam arritur dhe vazhdojë t’i arrij, prandaj askush për asgjë të mos më përzihet”, me të madhe nisi kultivimi i vetmisë, vetjakizmit, individualizmit, ndarjes, përçarjes, ftohjes dhe pastaj edhe terapitë mjekuese nga këto pasoja. E kuptoj, njeriu dhe vendi duhet të jenë të pavarura, të kuptohen edhe në qëndrimet e tyre burimore, por të mbyllet dera e çdo këshille, ndihme dhe ndërveprimi, është e rrezikshme, është shikim i një fatkeqësie pa guxuar të ndërhysh. Baraspesha e gjëra, qëllimi e mjeti i mirë dhe mosteprimi janë ilaçet!

Kësodore, nëse besojmë se jemi një, gjë që mua tashmë vështirë se më besohet, atëherë duhet ta kujtojmë se Shqipëria e ka detyrim kushtetues kujdesin ndaj shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve të saj, kurse shqiptarët kudo që janë, e kanë detyrim moral të kujdesen për Shqipërinë, por jo edhe verbërisht, jo edhe duke i bërë pushimet jashtë Shqipërisë, kurse protestat në Tiranë. Megjithatë, një Shqipëri e fuqishme do të thotë fuqi dhe mbrojtje edhe për shqiptarët jashtë kufijve të saj, prandaj është krejt e arsyeshme të përkrahet fryma që synon më të mirën për Shqipërinë, edhe pse si rrjedhojë e pozicionimeve algoritmike, fryma, parimi dhe arsyeja gjithnjë e më tepër po shkojnë drejt zbehjes.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button