Berisha përshëndet protestat: Mirënjohje qytetarëve e diasporës, rrethim epik i epiqendrës së krimit

Lideri i opozitës, Sali Berisha, e ka cilësuar “rrethim epik të epiqendrës së krimit” protestën e qytetarëve që kërkojnë largimin e Edi Ramës. Kryedemokrati ka përshëndetur gjithashtu demokratët nga diaspora që iu bashkuan protestës, ndërsa ka kërkuar pjesëmarrje të vazhdueshme pa ngjyrime partiake.

Berisha ka përsëritur edhe njëherë kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe hapjen e rrugës për zgjedhje të lira përmes një qeverie teknike dhe jopolitike.

Në një konferencë për shtyp, Berisha tha se protesta kombëtare e qytetarëve dhe diasporës shqiptare të së shtunës përbën, sipas tij, një nga “kryengritjet më të mëdha që ka njohur vendi”. Ai u shpreh se “rrethimi epik i Kryeministrisë”, të cilën e quajti “epiqendër të krimit”, është një arritje historike, ndërsa shtoi se Edi Rama është i pashpresë.

Berisha deklaroi se Partia Demokratike e mbështet plotësisht këtë lëvizje qytetare dhe i bëri thirrje kryeministrit Rama të japë dorëheqjen dhe t’i hapë rrugë një qeverie teknike për zgjedhje të lira.

Ai pati një mesazh edhe për demokratët dhe për pjesëmarrësit në protestë, të cilët i cilësoi si pjesë të një lëvizjeje të gjerë qytetare.

Kryedemokrati dënoi gjithashtu sulmin ndaj gazetarit Osman Stafa në protestën e 21 qershorit, duke hedhur akuza se pas këtij akti fshihet, sipas tij, shërbimi informativ me porosi të Edi Ramës.

Berisha paralajmëroi kreun e qeverisë se për çdo akt me pasoja ndaj qytetarëve dhe gazetarëve, do të mbajë përgjegjësi.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Lexo gjithashtu
Close
Back to top button