Përpjekjet e kreut të Këshillit Evropian për t’u afruar me Kremlinin shkaktojnë përçarje mes shteteve anëtare të BE-së

Përpjekjet e presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, për të vendosur kontakte diplomatike me Rusinë kanë ekspozuar ndarje mes liderëve të Bashkimit Evropian (BE), me disa shtete anëtare që paralajmërojnë se çdo afrim me Kremlinin mund të minojë mbështetjen për Ukrainën, transmeton Anadolu.
Çështja doli në sipërfaqe gjatë samitit të BE-së dje në Bruksel, ku liderët diskutuan përpjekjet diplomatike që synojnë mbështetjen e Ukrainës dhe përgatitjen për një proces të ardhshëm paqeje. Në përfundimet e miratuara pas takimit, Këshilli Evropian tha se mbështet përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës dhe është i gatshëm të rrisë angazhimin e tij.
Një zyrtar i BE-së i njohur me diskutimet tha se Costa u tha liderëve se blloku duhet “të mbetet i sigurt në vetvete” në mbështetjen për Kievin ndërsa përgatitet të marrë përgjegjësi “nëse dhe kur kushtet janë të përshtatshme për angazhim me Rusinë” në kërkim të një “paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme”.
Zyrtari u tha gazetarëve se presidenti ukraina, Volodymyr Zelenskyy, e ka inkurajuar Evropën të luajë një rol diplomatik më aktiv dhe theksoi se shtetet anëtare të BE-së duhet të mbeten të koordinuara në çdo kontakt të ardhshëm me Moskën.
Zyrtari shtoi se, sipas traktateve të BE-së, presidenti i Këshillit Evropian është “përfaqësuesi natyror” i interesave të bllokut. Costa ka udhëzuar zyrën e tij të krijojë një kanal diplomatik me Rusinë, megjithëse zyrtarët i përshkruan kontaktet si të kufizuara dhe procedurale.
“Ajo për të cilën po flasim janë kontakte të shkurtra pa shkëmbim mbi çështje thelbësore dhe pa negociata, diplomatë që bëjnë punë diplomatike”, tha zyrtari.
– Shtetet anëtare të ndara
Nisma ka shkaktuar shqetësim te disa shtete anëtare. Diplomatët për Euronews thanë se Polonia, shtetet baltike dhe vendet nordike ishin ndër ato që ngritën kundërshtime. Përçarja pasqyron pikëpamje të ndryshme mbi atë nëse tani është koha e duhur për angazhim me Rusinë dhe se kush duhet të përfaqësojë Evropën kur bisedimet të bëhen përfundimisht të mundshme.
“BE-ja nuk mund të marrë rolin e ndërmjetësit në këto negociata”, tha për Politico kryeministri estonez, Kristen Michall, duke hedhur poshtë nevojën për kanale alternative diplomatike.
Kryeministri polak, Donald Tusk, gjithashtu tha javën e kaluar se Varshava “nuk do të respektojë asnjë marrëveshje në të cilën Polonia nuk merr pjesë” dhe theksoi se Polonia ishte “një hallkë absolutisht e domosdoshme” në diskutimet mbi të ardhmen e Ukrainës dhe rajonit.
Sipas Politico, presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman, Friedrich Merz, gjithashtu vunë në pikëpyetje nismën e Costas, duke deklaruar se kushtet nuk ishin ende të përshtatshme për angazhim të drejtpërdrejtë me presidentin rus, Vladimir Putin.
Ata thuhet se argumentuan se çdo kontakt i ardhshëm duhet të zhvillohet përmes formatit E3 që përfshin Francën, Gjermaninë dhe Mbretërinë e Bashkuar, e cila ka eksploruar kanalin e saj me Kremlinin.
Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas ka hedhur poshtë idenë se blloku mund të shërbejë si ndërmjetës neutral në bisedimet me Moskën. “Ne jemi në anën e Ukrainës dhe po mbrojmë interesat tona të sigurisë dhe të Ukrainës, pasi Ukraina është pjesë e Evropës”, tha Kallas në fund të muajit maj.
Ndërkohë, disa liderë të tjerë mbështetën qasjen e Costas. Një zyrtar i BE-së tha për Politico se “një numër i madh” shtetesh anëtare mbështesin rolin e presidentit të Këshillit Evropian.
Kryeministri belg, Bart De Wever shprehu publikisht mbështetjen e tij, duke e ndalur Costan teksa ai po largohej nga vendi i samitit dhe duke u thënë gazetarëve: “Sapo po flisja për ty Antonio. Që t’i je i vetmi që mund të na përfaqësojë dhe se do të të dërgojmë në Moskë sa më shpejt të jetë e mundur”.
Kryeministri slloven, Janez Jansa, gjithashtu përshëndeti përpjekjet për të hapur derën e diplomacisë, duke u shprehur: “Çdo hap që mund të çojë në ndërprerjen e armiqësive dhe negociata duhet të mirëpritet”.



