Kryeparlamentari Gashi në forumin Shkup-Selanik: Rruga evropiane mbetet prioriteti ynë

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka marrë pjesë në forumin “BBUG Fortsetzungsgespräch Skopje–Thessaloniki”, i cili në Shkup mblodhi përfaqësues të kompanive prestigjioze gjermane, liderë politikë dhe ekspertë evropianë për të diskutuar sfidat dhe perspektivat e së ardhmes së përbashkët.
Gashi njoftoi se gjatë fjalimit të tij riafirmoi përkushtimin e palëkundur të Maqedonisë së Veriut ndaj integrimit evropian, duke shprehur njëkohësisht mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë.
“Riafirmova përkushtimin e palëkundur të Maqedonisë së Veriut ndaj rrugës europiane, duke shprehur njëkohësisht mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme dhe shumëdimensionale të Gjermanisë”, deklaroi Gashi.
Ai theksoi se prania e përfaqësuesve gjermanë në forum përbën një dëshmi të rëndësishme të besimit në potencialin e vendit.
“Prania e tyre sot këtu përfaqëson një dëshmi të rëndësishme besimi në potencialin e vendit tonë. Partneritetet ekonomike, investimet, inovacioni dhe shkëmbimi i dijes mbeten shtylla themelore për një rajon më të qëndrueshëm dhe një Europë më të fortë”, u shpreh kryeparlamentari.
Në fund, Gashi falënderoi organizatorët e forumit, Baden-Badener Unternehmer Gespräche e.V. dhe European Stability Initiative, si dhe të gjithë pjesëmarrësit për mundësinë e krijuar për shkëmbim idesh dhe diskutime mbi të ardhmen e rajonit dhe Evropës.
