I konfiskohet “Porsche”-ja: Arrestohet shtetasi serb që voziste me 188 kilometra në orë

Mbrëmë, zyrtarët policorë arrestuan një shtetas serb i cili po drejtonte një automjet të tipit “Porsche” me shpejtësi prej 188 kilometrash në orë në autostradën Kumanovë–Shkup, pranë nyjës “Rafineria”.
“Në një kontroll të komunikacionit rrugor, të realizuar me radar, zyrtarët policorë ndaluan një automjet udhëtarësh ‘Porsche’ me targa serbe, të drejtuar nga B.S. (30). Pas matjes u konstatua se drejtuesi po lëvizte me shpejtësi prej 188 kilometrash në orë, në një segment ku me shenjë komunikacioni shpejtësia maksimale e lejuar është 100 kilometra në orë”, njoftoi MPB.
Për shkak të shkeljes së kryer, automjeti është konfiskuar, ndërsa personi është arrestuar dhe është mbajtur në stacion policor për procedura të mëtejshme.
Nga MPB theksojnë se drejtimi i automjeteve me shpejtësi më të lartë se ajo e lejuar mbetet një nga shkaqet kryesore të aksidenteve rrugore, të cilat shpesh përfundojnë me pasoja të rënda për shëndetin dhe jetën e qytetarëve.
“Drejtimi i automjeteve me shpejtësi më të lartë se ajo e përcaktuar paraqet një nga arsyet kryesore për aksidente në komunikacion, të cilat shpesh sjellin pasoja të rënda”, theksojnë nga MPB, duke u bërë apel të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të respektojnë rregullat dhe të kontribuojnë për rrugë më të sigurta.



