Kuvendi miraton Kodin e Sjelljes Etike të deputetëve, Gashi: Hap i rëndësishëm drejt transparencës dhe përgjegjësisë

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka njoftuar se në seancën e 104-të është miratuar unanimisht Kodi i Sjelljes Etike i deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
“Në senacën 104-të të Kuvendit, unanimisht nga deputetët e pranishëm në sallë, u miratua Kodi i Sjelljes Etike i deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Si propozues i këtij dokumenti, kam kënaqësinë e veçantë të theksoj se ky Kod është përgatitur përmes një procesi të gjatë, gjithëpërfshirës dhe konsensual, me pjesëmarrjen e të gjitha grupeve parlamentare, përfshirë edhe opozitën.
Ky është një hap i rëndësishëm drejt një Kuvendi më transparent, më të përgjegjshëm dhe më dinjitoz, i cili vendos standarde më të larta për integritetin, mbrojtjen e interesit publik dhe sjelljen e deputetëve.
Shpreh falënderim të veçantë për gjithë deputetët e përfshirë, për finalizimin e këtij procesi dhe për dëshminë se dinjiteti i institucionit dhe i qytetarëve që përfaqësojmë duhet të qëndrojë mbi interesat e ngushta dhe mbi dallimet politike.
Gjithashtu, shpreh mirënjohje për partnerët tanë ndërkombëtarë, veçanërisht Programin Zviceran për Mbështetje Parlamentare dhe Institutin Kombëtar Demokratik (NDI), të cilët, përmes ekspertizës dhe përvojës së tyre, kontribuan në ndërtimin e dialogut ndërpartiak”, ka shkruar Gashi.


