Shkupi më afër Prishtinës, Mexhiti promovon investimin prej 200 milionë eurosh për rrugën Shkup–Bllacë–Prishtinë

Zëvendëskryeministri i parë dhe bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka njoftuar për investimin prej 200 milionë eurosh në aksin rrugor Shkup–Bllacë–Prishtinë, duke theksuar se ky projekt do ta afrojë edhe më shumë Shkupin me Prishtinën dhe do të përmirësojë lidhjet mes dy vendeve.
“Shkupi tashmë më afër Prishtinës. 200 milionë euro për rrugën Shkup–Bllacë–Prishtinë”, ka shkruar Mexhiti, duke e cilësuar projektin si dëshmi të realizimit të premtimeve të dhëna para qytetarëve.
Sipas tij, ky investim tregon dallimin mes “fjalëve dhe veprave”, përkatësisht mes premtimeve të pambajtura dhe projekteve konkrete që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.
“Kjo është qeverisja jonë. Çdo premtim i mbajtur, çdo angazhim i kthyer në punë”, ka deklaruar Mexhiti.
Ai ka theksuar se Qeveria po investon në zhvillimin e infrastrukturës me qëllim forcimin e ekonomisë dhe krijimin e lidhjeve më të afërta rajonale.
“Investojmë për një shtet më të zhvilluar, për ekonomi më të fortë dhe për lidhje më të afërta mes vendeve tona. Po ndërtojmë kilometra rrugë, sepse kështu afrojmë njerëz, krijojmë mundësi dhe hapim horizonte të reja për brezat që vijnë”, është shprehur Mexhiti.
Në fund të njoftimit të tij, ai ka uruar realizimin e këtij projekti të rëndësishëm infrastrukturor.



