Durmishi: Bizneset lokale janë forca lëvizëse e ekonomisë, mbështetja e tyre mbetet prioritet i Ministrisë

Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, realizoi vizita në kompanitë Koral Group dhe Pikasa.ai, duke i vlerësuar ato si shembuj të suksesshëm të sipërmarrësisë që investojnë në zhvillim, inovacion dhe hapje të vendeve të reja të punës.

“Bizneset lokale janë forca lëvizëse e ekonomisë, prandaj sot vizitova kompanitë Koral Group dhe Pikasa.ai, dy shembuj të mirë të sipërmarrësisë që investojnë në zhvillim, inovacione dhe krijimin e vendeve të reja të punës”, deklaroi Durmishi.

Gjatë vizitës në Koral Group, ministri tha se është njohur nga afër me proceset dhe kapacitetet prodhuese të kompanisë në përpunimin e profileve të aluminit, PVC-së dhe qelqit.

“Angazhimi i tyre ndaj cilësisë, modernizimit dhe kërkimit të teknologjive moderne është provë e potencialit që kanë bizneset tona për të qenë konkurruese në treg”, theksoi ai.

Durmishi vizitoi edhe Pikasa.ai, kompani që operon në 32 vende të botës dhe që, sipas tij, përmes inteligjencës artificiale ofron analiza të avancuara të medias dhe të dhënave në kohë reale.

“Zhvillimi i sektorit të teknologjisë dhe transformimi digjital janë ndër prioritetet tona, ndërsa suksesi i kompanive të tilla dëshmon se vendi ynë ka kapacitetin për të qenë pjesë aktive e ekonomisë globale digjitale”, u shpreh ministri.

Ai nënvizoi se mbështetja e bizneseve përmes Ligjit për Mbështetjen Financiare të Investimeve dhe krijimi i kushteve më të mira për zhvillimin e sektorit privat mbeten prioritete kyçe të Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës.

“Vetëm nëpërmjet partneritetit të ngushtë me komunitetin e biznesit mund të sigurojmë rritje të qëndrueshme ekonomike dhe më shumë mundësi për qytetarët tanë”, përfundoi Durmishi.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button