VLEN: BDI hesht për dokumentin që dëshmon mbështetjen e saj për zyrtarizimin e gjuhës serbe në Kumanovë

Koalicioni VLEN akuzoi sot BDI-në se po shmang përgjegjësinë politike dhe po hesht përballë dokumentit që, sipas tyre, dëshmon se kjo parti në vitin 2010 kishte votuar për futjen e gjuhës serbe në përdorim zyrtar në Komunën e Kumanovës.

Në një konferencë për media, Afan Elezi tha se kanë kaluar 24 orë nga publikimi i dokumentit, ndërsa nga BDI ende nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar.

“Deri më tani, BDI nuk ka dhënë asnjë përgjigje për këtë fakt. Nuk e mohuan dokumentin, nuk e mohuan vendimin dhe nuk e mohuan votën e tyre. Zgjodhën heshtjen. Dhe në politikë, heshtja është pranimi më i mirë i së vërtetës”, deklaroi Elezi.

Ai tha se kur përballen me fakte dhe dokumente, drejtuesit e BDI-së shmangin debatin publik dhe tentojnë të ndryshojnë temën e diskutimit.

“Kur faktet janë kundër tyre, BDI ikën nga debati. Kur dokumentet flasin, ata ndërrojnë temë. Kur shqiptarët kërkojnë përgjigje, ata ndërrojnë temën”, u shpreh Elezi.

Nga VLEN i drejtuan sërish pyetje publike BDI-së lidhur me arsyet e mbështetjes së zyrtarizimit të gjuhës serbe në Kumanovë.

“Pse BDI e mbështeti zyrtarizimin e gjuhës serbe në Kumanovë? Pse për këtë çështje kishte zell, votë e vullnet, ndërsa për hallet e shqiptarëve kishte vonesa e pengesa dhe punë të lëna përgjysmë?”, pyeti Elezi.

Sipas tij, qytetarët meritojnë përgjigje të qarta dhe jo, siç tha, “deklarata boshe dhe patriotizëm sezonal”.

“BDI hesht, sepse dokumenti flet. Dhe kur dokumenti flet, propaganda nuk pi më ujë. VLEN nuk merret me propagandë. VLEN flet me fakte. Dhe fakti është ky: dokumenti ekziston, ndërsa BDI ende nuk ka guxim të përballet me të”, përfundoi Elezi.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button