Zv/kryeministri i parë Bekim Sali: Lidhja e Prizrenit, simbol i unitetit dhe vetëdijes kombëtare shqiptare

Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, ka përkujtuar 148-vjetorin e themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, duke e cilësuar atë si ngjarjen më të rëndësishme politike dhe kombëtare të shekullit XIX për shqiptarët.

Në një status të publikuar në Facebook, Sali theksoi se më 10 qershor 1878, në Prizren, përfaqësues nga të gjitha trevat shqiptare u mblodhën për të themeluar Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, në një periudhë kur vendimet e Kongresit të Berlinit rrezikonin copëtimin e trojeve shqiptare.

“Lidhja u bë zëri i bashkuar i shqiptarëve për mbrojtjen e territorit, identitetit dhe të drejtave kombëtare. Për herë të parë, shqiptarët u organizuan rreth një platforme të përbashkët politike, duke kapërcyer dallimet krahinore, fetare dhe fisnore”, shkroi Sali.

Ai vlerësoi rolin e figurave kryesore të kohës, duke nënvizuar se nën udhëheqjen e Ymer Prizrenit, Abdyl Frashërit, Sulejman Vokshit, Mehmet Pashë Derallës dhe patriotëve të tjerë, Lidhja e Prizrenit “hodhi themelet e lëvizjes moderne kombëtare shqiptare” dhe u shndërrua në simbol të unitetit, rezistencës dhe vetëdijes kombëtare.

Sali theksoi se mesazhi i Lidhjes së Prizrenit mbetet aktual edhe sot.

“10 Qershori mbetet një datë që na kujton se kur shqiptarët bashkohen rreth idealeve të përbashkëta, ata arrijnë t’i mbrojnë interesat kombëtare dhe ta ndërtojnë të ardhmen e tyre me dinjitet”, deklaroi ai.

Sipas tij, trashëgimia e Lidhjes së Prizrenit vazhdon të frymëzojë brezat si një testament i përhershëm i bashkimit, patriotizmit dhe përkushtimit ndaj kombit shqiptar.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button