Vendkalimi ilegal në Bit Pazar do të mbyllet, Gjorgjievski: Ura vihet në funksion

Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, ka paralajmëruar masa konkrete kundër uzurpimeve dhe kalimeve ilegale në një zonë të qytetit, duke theksuar se siguria e qytetarëve, veçanërisht e të rinjve, nuk do të vihet në rrezik për interesa individuale.
Gjorgjievski paralajmëroi edhe mbylljen e një vendkalimi ilegal në Bit Pazar.
“Atje tregova se cila do të jetë procedura. Nga njëra anë e gjithë ajo është vend i uzurpuar, korsi biçikletash, trotuare, duhet të mbyllet dhe në të njëjtën kohë të mbyllet edhe vendkalimi ilegal pasi ka vendkalim tjetër edhe më lartë por edhe më poshtë tek semafori”, deklaroi ai.
Sipas tij, disa individë kanë krijuar qasje të paligjshme vetëm për të pasur lidhje më të shpejtë me objektet e tyre, duke rrezikuar mijëra qytetarë.
“Ligji është i qartë por atë që dikush ka dashur ta bëjë rrugicë për të pasur qasje më të shpejtë tek objekti i tij, i vendosë mijëra qytetarë në rrezik e sidomos të rinj. Unë nuk do të lejoj apo toleroj atë”, theksoi Gjorgjievski.
Ai paralajmëroi reagim të shpejtë nga institucionet dhe shtoi se ura do të vihet në funksion për të garantuar lëvizje të sigurt për qytetarët.
“Mendoj se për kohë shumë të shkurtër do të ketë reagim dhe do të jeni të befasuar. Ura do të vendoset në funksion dhe mjetet e qytetarëve që janë investuar aty janë investuar që qytetarët të kenë qasje të sigurt”, deklaroi kryetari i Shkupit.

