Kryediplomati italian i kërkon Izraelit të lirojë aktivistët e flotiljes për në Gaza

Ministri i Punëve të Jashtme i Italisë, Antonio Tajani ka kërkuar nga homologu i tij izraelit, Gideon Saar, të lirojë aktivistët nga flotilja e ndihmës që niset për në Gaza sa më shpejt të jetë e mundur, transmeton Anadolu.
Ministria e Punëve të Jashtme e Italisë njoftoi se Tajani zhvilloi disa kontakte gjatë natës me homologun e tij izraelit, Gideon Saar. “Tajani këmbënguli që qytetarët italianë të përfshirë, duke përfshirë një anëtar të Parlamentit italian dhe një gazetar, të lirohen dhe të lejohen të largohen sa më shpejt të jetë e mundur”, tha ministria italiane.
Theksohet se Tajani gjithashtu ka përsëritur nevojën për të mbrojtur sigurinë dhe të drejtat e çdo aktivisti.
“Zbarkimi i grupit të parë të aktivistëve të flotiljes ka filluar në portin e Ashdodit në Izrael. Një grup i dytë pritet të mbërrijë më vonë gjatë ditës”, thuhet më tej.
Ministria tha se zyrtarët nga ambasada italiane në Tel Aviv janë në kontakt me autoritetet izraelite për të ofruar ndihmë konsullore për shtetasit italianë. “Aktivistët pritet të transferohen në një strukturë për procedurat e identifikimit dhe më pas të lejohen të largohen”, thuhet në njoftim.
Dje, Flotilja Globale “Sumud” tha se të 50 anijet në konvojin e saj të ndihmës ishin sekuestruar nga Izraeli. Së bashku ato transportonin 428 persona nga 44 vende, përfshirë 78 shtetas turq.



