Ligjvënësi amerikan i bën presion shefit të CENTCOM-it për sulmin vdekjeprurës në shkollën në Iran

Demokrati kryesor në Komitetin e Shërbimeve të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve i ka kërkuar shefit të CENTCOM-it përgjigje lidhur me një sulm që vrau më shumë se 150 vajza në një shkollë në Iran më 28 shkurt, transmeton Anadolu.
Përfaqësuesi Adam Smith, anëtari më i lartë i pakicës në komitet, i bëri thirrje admiralit Brad Cooper të pranojë përgjegjësinë e SHBA-së për sulmin ndaj shkollës, për të cilin zyrtarët iranianë thonë se vrau 175 persona, përfshirë mbi 150 nxënëse.
“Është mjaft e qartë se çfarë ka ndodhur atje”, tha Smith, duke theksuar se në incidente të mëparshme ushtria amerikane i ka pranuar shpejt gabimet, edhe kur hetimet ishin ende në zhvillim.
“A mund ta pranoni në këtë moment se është bërë ky gabim dhe se ne jemi përgjegjës? Se ishte diçka që nuk donim ta bënim dhe nuk duam ta përsërisim?”, u shpreh Smith.
Cooper refuzoi të marrë përgjegjësi, duke theksuar se vetëm “SHBA-ja nuk shënjestron qëllimisht civilë”.
“Po ashtu, populli iranian nuk është armiku ynë. IRGC-ja është kundërshtari në këtë rast”, shtoi ai.
“Admiral, po ju bëj një pyetje shumë specifike dhe jam kurioz për përgjigjen”, tha Smith.
“Hetimi është ende në vazhdim”, u përgjigj Cooper.
Cooper tha se shkolla ndodhet pranë një baze aktive raketore të IRGC-së, duke e bërë incidentin “më kompleks se një sulm i zakonshëm”, si dhe premtoi transparencë pasi të përfundojë hetimi.
Smith u përgjigj: “Nuk i besoj kësaj përgjigjeje. Ajo që kemi parë nga ky sekretar i Mbrojtjes (Pete Hegseth) dhe shpërfillja e tij e ftohtë për rregullat e angazhimit dhe mbrojtjen e jetës civile na bën dyshues”.
Ai shtoi se refuzimi i administratës amerikane për të pranuar gabime të mundshme është “pikërisht arsyeja pse jemi në këtë situatë pa dalje”.
Sipas autoriteteve iraniane, sulmi i 28 shkurtit në shkollën fillore Shajareh Tayyebeh në Minab vrau rreth 175 persona.
Disa media amerikane, duke cituar vlerësime paraprake të SHBA-së, kanë raportuar se shkolla mund të jetë goditur nga një raketë amerikane Tomahawk.



