TIKA mbështet gratë fermere në Maqedoninë e Veriut

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) organizoi ceremoninë e shpërndarjes së pajisjeve për serrë dhe makineri bujqësore në kuadër të projektit për krijimin e fermave serrë “Gratë Prodhuese” në Maqedoninë e Veriut, raporton Anadolu.
Në ceremoninë e shpërndarjes, e cila u mbajt në fshatin Koreshnik të qytetit Demir Kapi në jug të Maqedonisë së Veriut, morën pjesë ambasadori i Turqisë në Shkup, Fatih Ulusoy, kryetarja e Komunës së Demir Kapisë, Natalija Dimitrieva, koordinatorja e TIKA-s në Shkup, Fevziye Seyma Babayigit, kryetari i Lidhjes së Organizatave Joqeveritare Turke në Maqedoni (MATUSITEB), Tahsin Ibrahim, si dhe fermerë.
Ulusoy, në fjalën e tij, tha se me këtë grant ofrohet mbështetje për zhvillimin bujqësor të vendit mik dhe vëllazëror.
Duke theksuar se lidhja dhe ura më kuptimplotë ndërmjet Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut është komuniteti turk në Maqedoninë e Veriut, Ulusoy tha: “Uroj që gratë këtu të kenë korrje të begata. Të kenë produkte të mira dhe të ardhura të mira”.
Dimitrieva e cilësoi projektin si një hap të rëndësishëm për zhvillimin e bujqësisë në rajon. “Shpreh falënderimet e mia më të sinqerta ndaj TIKA-s për mbështetjen, bashkëpunimin dhe besimin”, tha ajo.
– “Përfshirja e grave tona në prodhim do të japë kontribut të rëndësishëm për të ardhmen e shoqërisë sonë”
Babayigit tha se në kuadër të projektit “Gratë Prodhuese” do të vendoset infrastruktura e nevojshme për kultivimin serrë të perimeve për 100 gra fermere ndërsa në këtë kuadër do të realizohet donacioni i 50 motokultivatorëve si dhe i farave të domates dhe specit.



