Dëgjohen shpërthime në kryeqytetin saudit Riad pas një paralajmërimi për sigurinë

Në kryeqytetin e Arabisë Saudite, Riad, sot u dëgjuan shpërthime, pas një paralajmërimi për sigurinë të lëshuar nga Platforma Kombëtare e Paralajmërimit të Hershëm të vendit, në një kohë kur armiqësitë me Huthit në Jemen po përshkallëzohen, transmeton Anadolu.
Mbrojtja Civile e Arabisë Saudite njoftoi në platformën X, në pronësi të një kompanie amerikane të mediave sociale se në Riad ishte lëshuar alarm për rrezik të mundshëm. “Platforma Kombëtare e Paralajmërimit të Hershëm ka lëshuar paralajmërim në qytetin e Riadit për të njoftuar për rrezik të mundshëm”, thuhet në njoftim, ku banorëve u bëhet thirrje të ndjekin udhëzimet e sigurisë.
Pas paralajmërimit, u raportua për shpërthime në kryeqytet. Deri më tani, nuk ka patur informacione zyrtare për shkakun e shpërthimeve apo për viktima dhe dëme të mundshme.
Ngjarja ndodh në një kohë kur armiqësitë mes Arabisë Saudite dhe grupit Huthi në Jemen po përshkallëzohen. Grupi ka kryer sulme me raketa dhe dronë kundër mbretërisë ndërsa koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite ka ndërmarrë sulme ajrore ndaj pozicioneve të Huthive në Jemen.



