Kryediplomatja sllovene: Dy deri në tri vende të Ballkanit mund të jenë gati për anëtarësim në BE deri në vitin 2030

Ministrja e Punëve të Jashtme e Sllovenisë, Tanja Fajon, shpreson se deri në vitin 2030 të paktën dy ose tri vende të Ballkanit Perëndimor do të jenë gati për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE), duke theksuar se përshpejtimi i integrimeve evropiane është domosdoshmëri gjeostrategjike, raporton Anadolu.
Fajon, duke folur pas takimeve me ministrat nga rajoni dhe me komisioneren evropiane për zgjerim Marta Kos në Bruksel, tha se është diskutuar për sfidat e përbashkëta, përfshirë forcimin e përshtatjes me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së si dhe përgjigjen ndaj kërcënimeve kibernetike dhe hibride.
“Diskutuam për sfidat e përbashkëta të rajonit, që njëkohësisht është edhe domosdoshmëri gjeostrategjike, për të cilën të gjithë jemi të vetëdijshëm, që vendet sa më shpejt t’i bashkohen BE-së përmes reformave urgjente”, tha ajo.
Sipas saj, është diskutuar se si të harmonizohet sa më shumë politika e përbashkët e jashtme dhe e sigurisë dhe si t’u kundërvihen të gjitha kërcënimeve kibernetike dhe hibride.
Fajon theksoi se Sllovenia mbetet mbështetëse e fuqishme e zgjerimit të BE-së dhe e përfshirjes aktive të Ballkanit Perëndimor në proceset evropiane. Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe masave që ndikojnë drejtpërdrejt te qytetarët, si heqja e tarifave të roamingut në rajon dhe lehtësimi i jetës së përditshme, shtoi ajo.
Kryediplomatja sllovene theksoi rëndësinë e vazhdimit të dialogut Beograd-Prishtinë, duke vlerësuar se takimet rajonale me ministrat nga Ballkani Perëndimor janë kyçe për ruajtjen e dinamikës politike dhe besimit.
“Sa më shpejt zgjerimi i Ballkanit Perëndimor, gjithashtu sa më shpejt vendosja e roamingut për të gjithë rajonin, të gjithë ata hapa që ua lehtësojnë jetën qytetarëve dhe përshpejtojnë dialogun Beograd-Prishtinë”, theksoi Fajon.
“Shpresoj se deri në vitin 2030 do të shohim rezultate konkrete”, tha Fajon duke shtuar se dy deri në tri vende të rajonit mund të jenë gati për anëtarësim në BE gjatë asaj periudhe.



