Mucunski: Zgjerimi është imperativ si për BE-në ashtu edhe për vendet kandidate

Ministri i Punëve të Jashtme dhe i Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski po merr pjesë në mbledhjen e Këshillit për Punë të Jashtme të Bashkimit Evropian (BE) në Bruksel, i kryesuar nga përfaqësuesja e lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas, transmeton Anadolu.
Sipas njoftimit të Ministrisë, në deklaratën e dhënë para fillimit të mbledhjes, ministri Mucunski tha se zgjerimi është imperativ si për BE-në ashtu edhe për vendet kandidate, duke nënvizuar se bëhet fjalë për atë që Ballkani Perëndimor të pushojë së qeni “zonë gri” e Evropës dhe të krijohet një grup shtetesh me rrugë të qartë dhe kredibile drejt anëtarësimit.
Ai theksoi se shteti ka arritur rezultate konkrete në zbatimin e Agjendës së Reformave, veçanërisht në muajt e fundit, duke nënvizuar se Maqedonia e Veriut është 100 për qind e harmonizuar me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së.
“Mesazhi ynë për vendet anëtare është shumëdimensional. Është e nevojshme të largohemi nga bilateralizimi i kritereve të anëtarësimit, por edhe të forcohet angazhimi për çështje që shkojnë përtej vetë procesit të zgjerimit, veçanërisht në fushat e sigurisë dhe mbrojtjes, ekonomisë dhe tregtisë, sigurisë energjetike, sigurisë ushqimore dhe digjitalizimit”, theksoi ai.
Në kuadër të agjendës së Këshillit u diskutua për marrëdhëniet e BE-së me Ballkanin Perëndimor, me ç’rast bisedimet u përqendruan në çështjet aktuale të politikës së jashtme dhe sigurisë me interes të përbashkët, me theks të veçantë në forcimin e mëtejmë të bashkëpunimit në fushën e politikës së jashtme, sigurisë dhe mbrojtjes, agresionin rus ndaj Ukrainës si dhe pasojat më të gjera rajonale nga zhvillimet aktuale globale.
Mucunski, në fjalimin e tij, theksoi përcaktimin e fortë të shtetit për të qenë partner i besueshëm i BE-së në përballjen me sfidat aktuale gjeopolitike.
Njëkohësisht, ministri u ndal edhe te rëndësia e përfshirjes së rajonit në iniciativat e BE-së të orientuara drejt forcimit të kapacitetit kolektiv dhe rezistencës ndaj kërcënimeve të jashtme të sigurisë.
Fokus i veçantë në diskutime iu kushtua edhe procesit të zgjerimit të BE-së në kontekstin aktual gjeopolitik, me ç’rast u theksua se zgjerimi paraqet investim strategjik për stabilitetin dhe sigurinë afatgjate të rajonit dhe Evropës.



