Konsolidimi i VLEN-it dhe krijimi i binomit politik

Shkruan: Ismail SINANI

Konsolidimi i spektrit politik shqiptar rreth një strukture më të konsoliduar, siç është VLEN, duhet parë si një angazhim politik për përfaqësim më të racionalizuar politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Ky përbashkim politik si antipod i tashmë partisë mbi dydekadëshe të shqiptarëve BDI-së, si faktor i fuqishëm opozitar, krijon një binom politik që përkundër stërkëmbëzave dhe herë – herë goditjeve “ndër bel”, prodhon apo më mirë thënë pritet të prodhojë efekte pozitive për vetë sistemin demokratik dhe për pozitën e shqiptarëve në shtet. Përse?

E para, sjell konsolidimin e votës shqiptare. Siç dihet prej shumë vitesh e ciklesh zgjedhore, përçarja në kampin politik shqiptar shpesh ka “gjeneruar” humbje të peshës politike në rrafshin kuantitativ. Më të vjetrit e mbajnë mend se nuk kanë qenë të pakta rastet kur parti që në konton e tyre grumbullonin rreth 20 mijë vota, “digjeshin” në ditën e votimit sepse binin preh e “prerjes” që vetvetiu i shkakton qoftë sistemi i numërimit, gjegjësisht formula matematikore e D’Hondt-it, qoftë “gjeografia” e hartës zgjedhore.

Në këtë mënyrë, duke krijuar dy tabore, pavarësisht nihilizmit në sensin se “s’del gjë më prej tyre”, se “të gjithë janë njësoj”, se “krejt punojnë për veten e xhepin e vet” e se e se…, duke mos pasur asnjë levë tjetër për të zgjidhur problemet shoqërore, ky përbashkim, rrit fuqinë negociuese; shmang shpërndarjen e votës; krijon stabilitet më të madh në përfaqësim politik dhe më me rëndësi, prodhon qartësi politike për elektoratin. Ai, pra votuesi shqiptar, kur të dalë para kutisë së votimit, e ka më të qartë e me të lehtë se kurrë për të vendosur.

Një diçka tjetër që duhet thënë publikisht, të paktën ashtu duket nga vrojtimi nga jashtë, bashkimi i VLEN-it, edhe pse zërat skeptikë kanë dominuar në këto dy vite, manifeston altruizëm dhe distancim nga egot personale. Pavarësisht ndoshta edhe divergjencave programore, ndryshe nga të gjithë skeptikët, krerët e këtyre subjekteve arritën ta lexojnë mesazhin që u erdhi nga poshtë se “pa bashkim forcash, nuk jeni të pranueshëm nga populli”. E tani, se sa ky mesazh është marrë seriozisht, do të shihet në javët, muajt dhe vitet në vijim, më saktë në të dielën e zgjedhjeve të radhës, të 2027-tës sepse 2028-ta është shumë larg!

Kjo i bie se tani e tutje mund të pritet që binomi VLEN–BDI të krijojë konkurrencë më serioze në këto 12 muajt në vijim. E nëse akuzat vazhdojnë në stilin folklorik, pa programe konkrete, mund të priten dy zhvillime: VLEN-i duke qenë në pushtet, të futet në zonën e komforit, kurse BDI-ja të vazhdojë të zbehet edhe më tepër, pa marrë asnjë mësim nga pësimi i zgjedhjeve të fundit lokale kur e gjithë fushata zhvillohej nën vellon e akuzave me ngjyrime emotive dhe aspak konceptuale. Por e gjithë kjo, reflektimi dhe mosreflektimi, do të varet nëse krerët e dy kampeve do t’ia lejojnë vetes të kenë afër dikë që u tregon se “mbreti është lakuriq!” apo dikë që flet me gjuhën: “shef, boss, komandant… S’ka si ti! A e pe si t’priti Ramushi?”.

E megjithatë pa promovuar skepticizëm, duhet thënë se në një shtet multietnik si Maqedonia e Veriut, edhe shqiptarët duhet ta kuptojnë se u bie në hise ta ruajnë stabilitetin. Të qenit pjesë e sistemit prej vitesh e dekadash, e të sillesh si qiraxhi, më shumë do të duhej të na brente neve se sa “palën tjetër”. Nëse pas kaq shumë vitesh nuk kemi arritur ta ndërtojmë konceptin etatist, duhet ta pyesim edhe ne veten se çfarë jemi duke bërë!?

Prandaj, pas shumë zig-zagesh politike, është koha që përmes dy blloqeve të konceptohet një agjendë e “vijave të kuqe” me shpresë se nuk do të ketë shitje të interesit politik në atë zyrën e famshme në Kuvend, që me ulje të pazarit të ketë (tendenca për) katapultime në qeveri-pushtet.

Kjo i bie se tani e tutje, VLEN-it do t’i duhet një opozitë pak më reale, pa snobizëm dhe me akuza konkrete. Dhe, gjithsesi duhet theksuar se kemi nevojë për ulje të tensioneve të brendshme shqiptare.

Akuzat personale, “dëshirorja” do të ishte që të jenë “e kaluar e kryer”. E nëse ndodh kjo, atëherë energjia politike do të kanalizohej në rrafsh të kritikës institucionale; do t’i shmangte polarizimet destruktive dhe do të përçonte mesazhe se pushteti mbrohet dhe fitohet me ide, por se njëkohësisht humbet për mungesë idesh.

Dhe krejt në fund, bashkimi i VLEN-it në një strukturë, e zhdukë arsyen e kahmotshme të rivalit politik se “shqiptarët duhet t’jen t’bashkum”. Ky bashkim e demistifikon atë që dikur i quante “horra” rivalët politikë. Tani e tutje, të paktën për një periudhë afatmesme s’do të ketë horra! Shqiptarët do të kenë adresë politike…dy, kuptohet nëse në të ardhmen nuk paraqitet nevoja për një adresë krejt të re, të tretë. Deri atëherë, të presim e të shohim çfarë do të në sjellë kjo risi në kampin shqiptar. Ata që nuk mësojnë, pësojnë.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button