Ukshin Hoti si kujtesë e gjallë kombëtare u rikthye në Teatrin Shqiptar në Shkup me shfaqjen “Përtej Hekurave”

Mbrëmë, në Teatrin Shqiptar Shkup, publiku ndoqi me interes të jashtëzakonshëm premierën e shfaqjes “Përtej Hekurave”, me dramatizim dhe regji nga Naser Shatrolli. Salla u mbush me emocion, heshtje reflektuese dhe vëmendje të plotë për një dramë që prek plagët e historisë shqiptare, mendimin politik, qëndresën dhe idealin e lirisë, shkruan Portalb.mk.
Shfaqja u dallua për atmosferën e saj të ngarkuar emocionale dhe për mënyrën se si e vendosi publikun përballë pyetjeve të mëdha mbi lirinë, drejtësinë dhe përgjegjësinë kombëtare. Përmes dialogëve të fortë dhe interpretimit skenik, “Përtej Hekurave” arriti të krijojë një komunikim të drejtpërdrejtë me publikun, duke e bërë premierën një mbrëmje që nuk u përjetua vetëm si teatër, por si reflektim i thellë mbi historinë dhe të ardhmen shqiptare.
“Përtej Hekurave”, e ndërtuar mbi veprat “Bisedë përmes hekurave” të Ismail Kadaresë dhe “Filozofia politike e çështjes shqiptare” të Ukshin Hotit, solli në skenë një përplasje të fuqishme mes letërsisë, filozofisë dhe historisë. Aktorët Ylber Murtezi, Genci Mirzo dhe Visar Etemi e bartën me peshë emocionale këtë rrëfim, duke e bërë publikun të përballet me pyetjen e madhe: a mund të burgoset mendimi?
Regjisori Naser Shatrolli, duke folur për simbolikën e titullit, për Portalb.mk theksoi se ideali i Ukshin Hotit është përtej hekurave dhe nuk mund të mbyllet brenda burgut.
“Mendimi politik, parimet, ideali, janë e përtejme, nuk burgoset dot. Shqiptarët janë të lirë të mendojnë, të punojnë, të shkrijnë zejen e dijes në shkencë, në dije, në punë…”, deklaroi Shatrolli.

Aktori Ylber Murtezi për Portalb.mk tha se Ukshin Hoti nuk u rikthye në skenë për t’u kujtuar, por për të na kujtuar neve se çfarë ende nuk kemi përmbushur si shoqëri.
“Roli i Ukshinit, përveçse ka peshë historike dhe mbarëkombëtare, njëkohësisht është edhe kafshatë e madhe dhe përgjegjësi për çdo aktor. Sa i përket premierës së mbrëmshme, mendoj se ne si ekip, bashkë me gjithë institucionin teatror, ia dolëm. Euforia dhe emocionet që solli publiku pas shfaqjes ishin rezultat i një pune dy mujore. Mesazhi ishte i qartë: Ukshin Hoti, ndonëse i zhdukur, mbrëmë ishte i pranishëm aty, mes nesh”, tha Murtezi.



