Italia dënon ndalimin e flotiljes nga Izraeli: Të lirohen menjëherë aktivistët tanë

Qeveria e Italisë dënoi sot sekuestrimin nga forcat izraelite të anijeve që i përkisnin Flotiljes Globale “Sumud” dhe bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm të aktivistëve italianë të ndaluar ilegalisht gjatë operacionit, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë të shkurtër, qeveria konservatore e udhëhequr nga kryeministrja Giorgia Meloni i kërkoi Izraelit të “respektojë plotësisht ligjin ndërkombëtar” dhe të garantojë sigurinë e atyre që ishin në bord. Organizatorët e flotiljes thanë se anijet u kapën gjatë natës në ujërat ndërkombëtare pranë Greqisë.
Media italiane raportoi se rreth 24 italianë janë midis atyre që u morën në paraburgim. Qeveria e Melonit tha se mbetet e përkushtuar për të ofruar ndihmë humanitare në Rripin e Gazës “brenda kuadrit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe në përputhje me ligjin ndërkombëtar”.
Flotilja tha se forcat izraelite sekuestruan 21 anije të mërkurën në mbrëmje disa milje larg ujërave territoriale të Greqisë ndërsa 17 të tjera u arratisën dhe arritën në ujërat greke. Grupi thotë se misioni po transporton ndihmë humanitare në Gaza dhe synon të sfidojë bllokadën detare të Izraelit ndaj territorit.
Ministria e Jashtme e Izraelit tha në kompaninë e mediave sociale X se rreth 175 aktivistë nga më shumë se 20 anije të flotiljes po “shkonin në mënyrë paqësore drejt Izraelit”.
Dega italiane e flotiljes e përshkroi operacionin si një “ndërhyrje të armatosur në ujërat ndërkombëtare”, duke e quajtur atë një shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe duke i kërkuar Romës dhe Bashkimit Evropian të ndërmarrin hapa diplomatikë.
Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani tha sot se kishte udhëzuar njësinë e krizës së Italisë dhe ambasadat e saj në Tel Aviv dhe Athinë të kërkonin sqarime nga autoritetet izraelite dhe greke si dhe të merrnin masat e nevojshme për të mbrojtur qytetarët italianë të përfshirë.
Organizatorët thanë se rreth 60 anije dhe afërsisht 1.000 aktivistë po marrin pjesë në flotilje, e cila u nis javët e fundit nga portet, përfshirë Marsejën dhe Barcelonën në Spanjë dhe Sirakuzën në Siçili. Një përpjekje e mëparshme vitin e kaluar përfundoi pasi forcat izraelite kapën anijet në ujërat ndërkombëtare dhe deportuan qindra aktivistë.
Incidenti i ri vjen mes një armëpushimi të brishtë midis Izraelit dhe Hamasit të arritur në tetor 2025, i cili zyrtarisht i dha fund më shumë se dy viteve luftime në Gaza. Luftimet në shkallë të gjerë janë qetësuar ndërsa dhuna sporadike dhe mosmarrëveshjet mbi shpërndarjen e ndihmës, tërheqjet e trupave dhe qeverisjen e Gazës pas luftës kanë vazhduar, duke ngadalësuar përpjekjet për të çuar përpara fazat e ardhshme të marrëveshjes.



