Rafineritë spanjolle garantojnë furnizimin me karburant për avionë deri në maj

Rafineritë kryesore të naftës në Spanjë kanë bërë të ditur se furnizimi me karburant për avionë është i siguruar deri në muajin maj, por kanë paralajmëruar për mungesa të mundshme gjatë verës nëse konflikti në Iran vazhdon, transmeton Anadolu.
Sipas burimeve të industrisë, kompanitë gjithashtu janë duke punuar për të siguruar sasi të mjaftueshme edhe për muajin qershor. Ndërmarrjet kryesore, përfshirë Repsol, Moeve dhe BP, po rrisin prodhimin për të përmbushur kërkesën në rritje përpara sezonit kulmor të udhëtimeve.
Kjo vjen në një kohë kur Spanja po përgatitet për një sezon rekord turistik, me synimin për të tejkaluar 100 milionë vizitorë të huaj gjatë këtij viti. Çdo ndërprerje në furnizimin me karburant për avionë mund të ndikojë në kapacitetin e fluturimeve gjatë muajve më të ngarkuar.
Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, Evropa aktualisht ka rezerva të karburantit të aviacionit për rreth gjashtë javë.
– “Pozitë e privilegjuar” në BE
Drejtori ekzekutiv i ndërmarrjes Repsol, Josu Jon Imaz, së fundmi ka paralajmëruar për një mungesë të mundshme të karburantit në Evropë për shkak të luftës, veçanërisht në sektorin e karburantit për avionë. Megjithatë, ai ka shprehur njëfarë optimizmi për pozitën e Spanjës në krahasim me vendet e tjera.
Ministrja spanjolle për Tranzicionin Ekologjik, Sara Aagesen ka tentuar të qetësojë publikun, duke deklaruar se vendi prodhon rreth 80 për qind të karburantit për avionë që konsumon, duke e vendosur Spanjën në një pozitë “të privilegjuar” krahasuar me shumë vende të tjera evropiane.
Në nivel evropian, komisari për Energjinë, Dan Jorgensen, mbajti një qëndrim më të kujdesshëm, duke paralajmëruar Madridin se edhe nëse konflikti përfundon menjëherë, ndërprerjet në tregjet e karburantit mund të zgjasin me muaj.
Jorgensen theksoi se Komisioni Evropian po monitoron nga afër nivelet e rezervave dhe mund të propozojë ndarjen dhe rishpërndarjen e furnizimeve mes vendeve anëtare nëse shfaqen mungesa.
Aagesen, nga ana e saj, ka deklaruar se Spanja është e gatshme të marrë pjesë në një mekanizëm të tillë nëse është e nevojshme.
Linjat ajrore po përshtatin operacionet
Në të gjithë Evropën, linjat ajrore tashmë po përshtatin operacionet e tyre si përgjigje ndaj rritjes së kostove të karburantit dhe shqetësimeve për furnizimin.
Kompania gjermane Lufthansa njoftoi se do të shkurtojë 20 mijë fluturime nga prilli deri në tetor për të kursyer karburant, duke iu bashkuar linjave të tjera ajrore si KLM dhe SAS.
Deri më tani, linjat ajrore spanjolle nuk kanë njoftuar anulime dhe në vend të kësaj planifikojnë të rrisin kapacitetin për sezonin veror, të mbështetura nga prodhimi vendas dhe strategjitë financiare të mbrojtjes nga luhatjet e çmimeve.
Dje, kreu i Shoqatës së Linjave Ajrore të Spanjës (ALA) deklaroi se aktualisht nuk ka rrezik për furnizimin, por u rekomandoi konsumatorëve të blejnë biletat sa më shpejt për të shmangur rritjen e çmimeve.
“Është e qartë se ka rritje të kostove për kompanitë dhe mbetet e paqartë se cila pjesë mund të mbulohet nga marzhet e tyre dhe cila do të reflektohet në rritje çmimesh”, tha presidenti i ALA-s, Javier Gandara.


