BE propozon rifillimin e plotë të marrëveshjes së bashkëpunimit me Sirinë

Komisioni Evropian njoftoi se qasja e përditësuar synon të mbështesë një “tranzicion paqësor dhe gjithëpërfshirës të udhëhequr nga Siria”, të adresojë nevojat humanitare dhe të kontribuojë në rimëkëmbjen ekonomike të vendit

Komisioni Evropian ka propozuar rifillimin e plotë të Marrëveshjes së Bashkëpunimit BE-Siri, duke sinjalizuar një shtysë të re në marrëdhëniet mes bllokut dhe Sirisë, transmeton Anadolu.

Komisioni Evropian njoftoi se qasja e përditësuar synon të mbështesë një “tranzicion paqësor dhe gjithëpërfshirës të udhëhequr nga Siria”, të adresojë nevojat humanitare dhe të kontribuojë në rimëkëmbjen ekonomike të vendit.

Ky hap vjen pas një njoftimi në muajin janar nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila paraqiti një kornizë të re të BE-së për angazhim me Sirinë.

Marrëveshja e Bashkëpunimit BE-Siri, në fuqi që nga viti 1978, u pezullua pjesërisht në vitin 2011 si përgjigje ndaj asaj që BE-ja e përshkroi si represion sistematik dhe shkelje të rënda të të drejtave të njeriut nga administrata e Bashar al-Assadit

Marrëveshja shërben si një kornizë për bashkëpunim ekonomik dhe social, duke përfshirë dispozita për heqjen e tarifave doganore për shumicën e mallrave industriale siriane që hyjnë në BE dhe ndalimin e kufizimeve sasiore tregtare mes dy palëve.

Propozimi i fundit vjen pas vendimit të BE-së në maj të vitit 2025 për të hequr sanksionet ekonomike ndaj Sirisë dhe vizitës së von der Leyen në Damask në janar të këtij viti.

Gjatë asaj vizite, ajo shpalli tre shtylla për marrëdhënie të reja dypalëshe, respektivisht një kornizë partneriteti politik, bashkëpunim të zgjeruar tregtar dhe ekonomik, si dhe një paketë mbështetjeje financiare prej rreth 620 milionë eurosh për periudhën 2026-2027.

Fondet pritet të mbështesin ndihmën humanitare, përpjekjet për rimëkëmbje të hershme dhe programet e bashkëpunimit dypalësh.

Propozimi tani kërkon miratim formal nga Këshilli i BE-së dhe njoftim pasues për autoritetet tranzitore të Sirisë.

Ky zhvillim vjen përpara Dialogut Politik të Nivelit të Lartë BE-Siri, i planifikuar për 11 maj.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button