Ja si milicitë sioniste bashkëpunuan me Gjermaninë Naziste!

Dokumentet arkivore izraelite të deklasifikuara së fundmi, kanë hedhur dritë mbi përpjekjet e një milicie sioniste për të krijuar një marrëdhënie me Gjermaninë naziste në vitet 1930-1940.

Sipas një raportimi të detajuar nga gazeta Haaretz, këto dosje zbulojnë se Avraham Stern dhe anëtarë të tjerë të “Bandës Stern”,bënë përpjekje të përsëritura për të krijuar një partneritet me regjimin e Hitlerit.

Ky bashkëpunim synohej mbi bazën e një armiku të përbashkët: Britanisë së Madhe, e cila në atë kohë administronte Palestinën. Naftali Lubenchik, anëtar i grupit, u dërgua për t’u takuar me përfaqësuesit gjermanë.

Një dokument i publikuar vetëm në vitin 1951, tregonte besimin e tij se nazistët nuk kërkonin shkatërrimin fizik të hebrenjve, por dëbimin e tyre nga Evropa drejt një shteti të tyre.

Dokumentet tregojnë se në maj të vitit 1941, Eliyahu Golomb, komandant i milicisë kryesore Haganah, paralajmëroi për një grup hebrenjsh që kishin kontakte me armikun, duke iu referuar direkt Stern-it.

Këto komente u regjistruan në një dokument të inteligjencës të titulluar “Kontaktet me Boshtin”. Avraham Stern, një emigrant polak, ushqente një urrejtje aq të fortë ndaj britanikëve, saqë ishte i gatshëm të negocionte një aleancë me nazistët për t’i larguar ata nga rajoni.

Ndërsa fraksionet e tjera si Irgun dhe Haganah kishin ndalur sulmet ndaj britanikëve për t’u përqendruar te lufta kundër nazizmit, milicia e Stern-it vazhdoi sulmet ndaj objektivave britanike.

Hulumtimi i publikuar nga Haaretz, vë në dukje se njëri prej propozimeve të grupit përfshinte një “partneritet aktiv” në luftë, bazuar në interesa të përbashkëta midis politikës gjermane dhe aspiratave kombëtare hebraike.

Madje Natan Friedman, anëtar i grupit dhe i ardhshëm i parlamentit izraelit (Knesset), shkruante në vitin 1943 se Gjermania mund të ishte ende një aleat i mundshëm.

Haaretz raporton se këto dokumente e përshkruajnë Stern-in si një njeri që besonte se Britania e kishte tradhtuar popullin hebre dhe nuk do të lejonte kurrë krijimin e një shteti të pavarur.

Ideologjia e tij mbështetej në idenë se, meqë nazistët donin ta “pastronin” Evropën nga hebrenjtë, transferimi i tyre në Palestinë ishte një zgjidhje praktike për të dyja palët.

Ai synonte të merrte kontrollin e “Izraelit të Madh” me forcë, duke rekrutuar hebrenjtë e Evropës në një ushtri speciale që do të pushtonte vendin nga britanikët.

Megjithatë, këto përpjekje nuk patën sukses. Autoritetet britanike e vranë Stern-in në vitin 1942. Në atë kohë, veprimet e tij u konsideruan një turp për lëvizjen e gjerë sioniste.

Sipas të dhënave të pasqyruara në Haaretz, djali i Stern-it, Yair, i ka minimizuar këto përpjekje si një episod të parëndësishëm që synonte vetëm shpëtimin e hebrenjve, duke argumentuar se babai i tij nuk kishte dijeni për tmerret e plota të Holokaustit në kohën kur pati kontaktet me nazistët. /tesheshi.com/

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button