“Shenja” dhe një vijë e qëndrueshme mendimi në hapësirën shqiptare

Roli i “Shenjës” nuk duhet parë vetëm te jetëgjatësia e saj, sado e rëndësishme të jetë kjo. Vlera e saj kryesore lidhet me përpjekjen për të ndërtuar një vijë mendimore të dallueshme, një sens interpretimi të realitetit që nuk u nënshtrohet lehtë modave ideologjike, presioneve të ditës apo konformizmit kulturor.  

Shkruan: Besim NEBIU, Shkup   

Në hapësirën mediale shqiptare, ku shpesh mbizotërojnë mendimi i shpejtë, reagimi i zhurmshëm dhe ritmi i imponuar nga dita, aq më tepër në rrethana kur gazetat ditore janë shuar dhe ato javore prej kohësh pothuajse janë zhdukur, mbijetesa pesëmbëdhjetëvjeçare e revistës “Shenja” përbën një ngjarje me peshë të veçantë. Kjo bëhet edhe më e qartë në një kohë kur mendimi publik po paketohet në videoklipe të shkurtra, të nxjerra nga të ashtuquajturat debate politike televizive, të cilat shpesh janë më tepër një përzierje e cirkut, spektaklit argëtues që imiton sporte luftarake dhe muhabete të çajtores sesa një hapësirë  mirëfilltë për ballafaqim idesh. 

Pikërisht këto ditë, duke qenë në Prishtinë, e hasa “Shenjën” në një kioskë, një detaj i vogël në dukje, por domethënës në vetvete, sepse tregon se për revistën vazhdon të ketë vëmendje dhe interes në një hapësirë më të gjerë shqiptare. Në këtë kuptim, “Shenja” nuk është vetëm dëshmi e qëndrueshmërisë së një projekti botues, por edhe tregues se në shoqërinë shqiptare ka ekzistuar dhe vazhdon të ekzistojë nevoja për një tribunë që kërkon kuptim, bosht moral dhe seriozitet intelektual. 

Roli i “Shenjës” nuk duhet parë vetëm te jetëgjatësia e saj, sado e rëndësishme të jetë kjo. Vlera e saj kryesore lidhet me përpjekjen për të ndërtuar një vijë mendimore të dallueshme, një sens interpretimi të realitetit që nuk u nënshtrohet lehtë modave ideologjike, presioneve të ditës ose konformizmit kulturor. Në një mjedis ku mediat shpesh e fragmentojnë mendimin dhe e reduktojnë debatin në pozicionime të shpejta e polemika kalimtare, “Shenja” ka tentuar të ruajë një raport më të thellë me idetë, me traditën dhe me pyetjet themelore të shoqërisë sonë. 

Një prej meritave më të rëndësishme të revistës ka qenë fakti se ajo ka krijuar hapësirë për një mendim shqiptar që nuk është provincial, por as imitues. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në rrethana kur shoqëria shqiptare ka lëvizur mes dy rreziqeve: mbylljes në vetvete dhe humbjes së vetes përballë modeleve të importuara. “Shenja” është përpjekur të mbajë një rrugë të tretë: të jetë e hapur ndaj botës, por pa e humbur boshtin e vet kulturor, historik dhe shpirtëror dhe pa i përqafuar në mënyrë të verbër modelet e importuara. 

Në këtë kuptim, revista ka luajtur rol të rëndësishëm edhe në formësimin e mendimit politik shqiptar. Jodomosdoshmërisht duke prodhuar platforma politike në kuptimin e ngushtë të fjalës, por duke ushqyer një kulturë reflektimi mbi çështje si identiteti, shteti, kombi, përkatësia qytetare, feja, moderniteti, drejtësia sociale dhe raporti ynë me tjetrin. Kontributi i saj ka qenë pikërisht te këmbëngulja që këto tema të mos trajtohen si slogane, por si fusha serioze të mendimit, ku kërkohen maturi, njohje dhe përgjegjësi. 

Po aq i rëndësishëm ka qenë edhe roli i “Shenjës” në ruajtjen e një lloj kohezioni të mendimit kombëtar shqiptar. Në një realitet të copëzuar në disa shtete, në disa kontekste politike dhe në disa përvoja historike, është gjithnjë i pranishëm rreziku që edhe mendimi shqiptar të mbetet i ndarë, i provincializuar dhe i paaftë për të komunikuar me vetveten. Revista, në mënyrën e saj, ka shërbyer si një urë: jo duke imponuar uniformitet, por duke krijuar një hapësirë ku mund të takohen përvoja, ndjeshmëri dhe qasje të ndryshme brenda një horizonti të përbashkët shqiptar. 

Natyrisht, si çdo projekt i gjatë, edhe “Shenja” mund dhe duhet t’i nënshtrohet vlerësimit kritik. Ndoshta jo çdo numër, jo çdo tekst dhe jo çdo debat ka pasur të njëjtën forcë, të njëjtën thellësi ose të njëjtin ndikim, por projektet serioze nuk maten vetëm nga luhatjet e tyre të brendshme; ato maten nga boshti që arrijnë ta mbajnë në kohë. Dhe, pikërisht ky bosht  përkushtimi ndaj mendimit, seriozitetit intelektual dhe një vetëdijeje kulturore shqiptare  është ajo që e bën “Shenjën” një përvojë të rëndësishme në historinë tonë mediale e kulturore. 

Në një kohë kur fjala publike shpesh konsumohet shpejt dhe harrohet edhe më shpejt, “Shenja” për shumë lexues ka përfaqësuar një mundësi për t’u ndalur, për të reflektuar dhe për ta parë realitetin përtej zhurmës së ditës. Kjo është ndoshta meritë edhe më e madhe se vetë vazhdimësia e botimit: të krijosh, në mënyrë të qëndrueshme, një komunitet leximi dhe mendimi që nuk kënaqet me sipërfaqen.  

Pesëmbëdhjetëvjetori i saj, prandaj, nuk është vetëm rast për urim, por edhe për njohje të një kontributi real në kulturën e mendimit shqiptar. Nëse në të ardhmen do të lindin projekte të reja në frymën e “Shenjës”, me më shumë thellësi dhe përhapje, atëherë kjo do të thotë se revista e ka kryer një prej funksioneve më të rëndësishme që mund të ketë një projekt intelektual: jo vetëm të botojë, por të lërë gjurmë, të krijojë traditë dhe të hapë rrugë. 

Në fund, rëndësia e “Shenjës” qëndron pikërisht këtu: ajo nuk ka qenë vetëm një revistë që ka pasqyruar mendime, por një platformë që ka ndihmuar në formimin e tyre. Dhe, në një shoqëri që ende ka nevojë të mendojë më thellë për veten, për drejtimin e saj dhe për gjuhën me të cilën e kupton botën, ky është një rol që meriton të vlerësohet me seriozitet.  

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button