Kur bariu edhe njerëzit i sheh si dele

Shkruan: Iljasa Salihu
Gruaja e një politikani shqiptar, hyri në dyqanin Harrods në Londër dhe bleu mall në shuma marramendëse. Djali në arkë i tha: “Çfarë pune bën burri yt që mund të përballojë gjithë këto shpenzime?”Ajo iu përgjigj: “Ai është bari, ka tre milionë krerë dele.” I habitur ai e pyeti:”Po si i ushqen gjithë ato?”Ajo tha: “Ai nuk i ushqen fare, vetëm i mjel dhe i qeth, – shkruan Elmaz Fida.”
Politikanët ia kërkojnë votat qytetarëve. Në kudër të kësaj kërkese, ata edhe gënjeshtrave të tyre janë në gjendje t’u besojnë. Premtojnë aq shumë, saqë askush nuk ia vë veshin premtimeve të tyre. Megjithatë, qytetarët pa ngurrim ia japin votat, besimin atyre që në vetvete fshehin njëfarë mosbesimi. Ende po i thënë mirë faleminderit, politikanët ia mbyllin derën e komunikimit qytetarëve, me arsyen se tashmë kanë shumë punë për të bërë. Normalisht, nuk është gjë e lehtë edhe vjedhja! Shtoja kësaj “golgote” edhe dhënien intervista!
Përndryshe nuk do ta ndërlikonin të thjeshtën dhe të qartën kur dihet se madhështia qëndron në gjëra të thjeshta. Fjala vjen, politikanët shqiptarëpo të mos e kishin dertin e pushtetit brenda të cilit është dëshmuar se tepër pak kanë pushtet, asnjë parti, apo grupim politik, nuk do të bëhej pjesë e pushtetit qeveritar nëse në nenin X të kushtetutës nuk shkruan:
- Gjuhë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut janë Gjuha Maqedonase dhe Gjuha Shqipe.
- Gjuha Serbe, Turke, Boshnjake dhe ajo Rome kanë statusin e gjuhëve zyrtare në nivel komune ose do të jenë në përdorim zyrtar në cilindo nivel në pajtim me ligjin. Kjo do të jetë sukses dhe shembull i mirë për vetë shtetin, për vetë qytetarët e tij dhe për vetë mirëqenien e përgjithshme shoqërore dhe shtetërore. Çfarëdo gjëje tjetër është erëz, mëlmesë, ngjyrë, të cilët në mungesë të ushqimit nuk kanë vlerë.
Megjithatë, me kalimin e kohës, fillon që edhe koha të mos ju kalojë mirë, ndaj qytetarët e gjorë eten për llogaridhënie. Duan llogaridhënie, por ja që lypsarët e dikurshëm, politikanët, tani llogarisin se nuk kanë llogari t’i japin llogari atyre që po kërkojnë me ngulm llogari. Ç’të bëjnë të gjorët, pasi shohin se janë mjelë mirë prej politikanëve, me atë nervozë të harlisur, shkojnë t’i mjelin lopët, dhitë dhe delet, ngaqë nuk i ngelet punë tjera për të bërë.
Ngadalë e sigurt, lëre se politikanët i harrojnë qytetarët, por edhe qytetarët i harrojnë politikanët me gjithë thesin me premtime. Për pasojë, po kjo harresë, pas disa viteve, vetëm një muaj këta të gjorë i largon prej mjeljes së lopëve, dhive dhe deleve, për t’i përdorur sërish si dele që japin qumësht e lesh dhe nesër pse jo të shiten goxha mirë si kurban, edhe pse në të vërtetë këta të gjorë shkojnë për lesh. Kështu që, shoqëri e dashur, një gjë duhet ta dini se për mashtrimin e parë turp u qoftë politikanëve. Për mashtrimin e dytë turp ju qoftë juve (neve).
PS. I gjithë ky shkrim nuk i përfshin ata politikanë që janë të ndershëm dhe kurrë nuk janë korruptuar.



