Zv/ministrja Zekolli Shaqiri: Investim 2.1 milion euro në Dollnen, realizohen 15 projekte infrastrukturore

Zëvendësministrja e Transportit dhe Lidhjeve, Kaltrina Zekolli-Shaqiri, ka njoftuar për vazhdimin e investimeve infrastrukturore në Komunën e Dollnenit, ku janë duke u realizuar gjithsej 15 projekte konkrete në vlerë prej 2.1 milion euro, të cilat synojnë përmirësimin e kushteve të jetesës dhe qarkullimit për qytetarët.
Gjatë vizitës në këtë komunë, së bashku me ministrin e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamet Hoxha, dhe kryetarin e komunës, Blerim Islami, ata kanë inspektuar nga afër ecurinë e disa projekteve infrastrukturore që janë në faza të ndryshme realizimi.
“Ministria e Transportit vazhdon investimet në Dollnen, 15 projekte konkrete në vlerë prej 2.1 milion euro në shërbim të qytetarëve”, deklaroi Zekolli-Shaqiri.
Ajo theksoi se gjatë vizitës janë parë nga afër punimet në rikonstruimin e rrugës në fshatin Zhitoshë, projekt që tashmë ndodhet në fazën përfundimtare dhe kap vlerën prej 285.078 euro.
“Vizituam punimet në rikonstruimin e rrugës së fshatit Zhitoshë, e cila tashmë ndodhet në fazën përfundimtare, me vlerë prej 285.078 euro”, u shpreh ajo.
Ndërkohë, sipas saj, ka nisur edhe rikonstruimi i rrugës në vendbanimin Cërnilishtë, projekt me vlerë 295.788 euro që do të përmirësojë ndjeshëm lidhjen dhe qarkullimin për banorët e zonës.
“Këto projekte nuk janë vetëm investime infrastrukturore, por hapa konkretë drejt zhvillimit të qëndrueshëm të Dollnenit”, theksoi Zekolli-Shaqiri, duke shtuar se angazhimi i ministrisë do të vazhdojë që çdo komunë të ndjejë mbështetje konkrete dhe progres të dukshëm në terren.



