Shpërthim në rafinerinë e naftës në qytetin Port Arthur të Teksasit

Një shpërthim i fuqishëm goditi rafinerinë e naftës “Valero” në qytetin Port Arthur, duke detyruar evakuimin e banorëve lokalë.
Kryetarja e qytetit, Charlotte M. Moses, njoftoi se nuk ka persona të lënduar në shpërthim dhe bëri thirrje që banorët nga pjesa perëndimore e qytetit të qëndrojnë në shtëpi derisa ekipet e zjarrfikësve të përpiqen të lokalizojnë flakët.
Rafineria, që punëson rreth 770 persona, ka kapacitet për përpunimin e rreth 435 mijë fuçive naftë në ditë.
Deputeti shtetëror Christian Manuel njoftoi se Komisioni për Cilësinë e Mjedisit i shtetit të Teksasit është në vendngjarje, ekspertët po monitorojnë situatën dhe po mbahet nën kontroll cilësia e ajrit.
Autoritetet lokale paralajmëruan banorët të kufizojnë aktivitetet jashtë dhe të mbyllin dritaret dhe dyert derisa situata të stabilizohet.
Shkaku i shpërthimit po hetohet.



